Serbia pa konsensus të brendshëm për çështjen e Kosovës

E publikuar: 01/07/2018 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çështja e Kosovës e ‘ka ndarë në dysh’ skenën politike në Serbi.

Partitë opozitare atje tash e një kohë të gjatë po hedhin kritika të shumta drejt presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për qasjen dhe veprimet e tij karshi arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Kosovën, transmeton lajmi.net.

Strategjia e Vuçiqit që çështja e Kosovës mos të mbetet një konflikt i ngrirë në Ballkan, nga partitë e opozitës po shihet si një strategji në krah të së cilës Vuçiq po tenton të fitojë poena politik, shkruan “Kurir”.

Njohësi i çështjeve politike, dhe njëherësh drejtori i “Transparency” në Serbi, Vladimir Goati thotë se megjithëse se kompromisi me Kosovën është i domosdoshëm, opozita në Serbi do ta përdor këtë për ta sulmuar edhe më shumë presidentin e vendit.

“Kompromisi është i domosdoshëm. Mirëpo opozita është duke pritur detaje nga kjo marrëveshje që do të ishin të pakëndshme për popullin serb që ta sulmojnë edhe më shumë presidentin. Në vend që të arrihet një konsensus i brendshëm për çështjen e Kosovës, opozita i ka ngritur duart nga kjo. Ata nuk kanë një propozim të tyre për Kosovën, por gjithsesi i kritikojnë të tjerët që kanë një të tillë. Për atë arsye ata japin përshtypje që gjithçka që bëjnë është për përfitime politike. Të gjitha këto vijnë nga pozita nacionaliste, një gjë e tillë është totalisht e pandershme”, shprehet ai.

Nga njohës të tjerë të skenës politike në Serbi po konsiderohet se vendimet e Vuçiqit, qofshin ato të mira ose jo të mira, po kundërshtohen nga opozita serbe.

“Problemi është se ata nuk janë konstruktiv, politika është e bazuar në kritika, mirëpo në këmbim të tyre ata nuk ofrojnë propozime të tjera për zgjidhjen me Kosovën”, shprehet politologu, Boban Stojanoviq.

Vlen të theksohet se përplasje të ashpra kohëve të fundit ka pasur ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq, me këtë të fundit i cili vazhdimisht ka akuzuar Vuçiqin se me veprimet e veta po i siguron Kosovës ulësen në OKB.