Serbia Mund të Diskualifikohet nga Garat Nëse Nuk Luan Ndaj Kosovës

E publikuar: 23/03/2018 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse qeveria në Beograd ka urdhëruar anulimin e ndeshjes së hendbollit mes Serbisë dhe Kosovës, ekipi përfaqësues i të rejave të Kosovës është në pritje për fillimin e meçit të vlefshëm për kualifimet për kupën e botës.
Gjatë ditës së sotme u raportua se Qeveria e Serbisë ka anuluar ndeshjen e hendbollit.

Por sekretari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci, tha për KALLXO.com se pavarësisht anulimit të ndeshjes nga ana e qeverisë, ekipi kosovar është në pritje që ekipi serb të paraqitet në ndeshje.

“Ndeshja pritet brenda 40 minutave të fillojë zyrtarisht. Pasi të konstatohet se ekipi i Serbisë nuk gjendet në fushë për ndeshjen e paralajmëruar, arbritrat e përfundojnë ndeshjen”, tha Gjinovci i kontaktuar nga KALLXO.com rreth orës 15:20, të premten.

LEXO EDHE:

Mediat: Qeveria e Serbisë Anulon Ndeshjen e Hendbollit Serbi- Kosovë

Ai shtoi se sipas rregullave ndërkombëtare, Serbia në këtë rast automatikisht suspendohet në garat e mëtutjeshme.

“Serbia automatikisht suspendohet nga garat e mëtejme, kurse ne nesër zhvillojmë ndeshje me Sllovakinë dhe pasnesër me Norvegjinë”, shtoi Gjinovci.

Sipas Gjinovcit përveç diskualifikimit, Serbia sipas rregullores ndërkombëtare do të dënohet me gjobë prej 15 mijë euro minimumi.

I pyetur për sigurinë e lojtareve të hendbollit të Kosovës, Gjinovci shtoi se janë duke qëndruar në hotel të rrethuar me forca policore.

“Sigurimi është shumë i rreptë, në qendrën sportive dhe hotelin ku jemi akomoduar ka shumë forca policore, por edhe arritja deri këtu duhet kaluar përmes 3 rretheve të policisë”, tha ai.

Deri më tani, sipas Gjinovcit, nuk ka ndodhur asnjë incident.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar në lidhje me anulimin e kësaj ndeshjeje.