Serbia ia ndalon ambasadorit shqiptar kontaktet me qeverinë

E publikuar: 08/10/2015 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se qeveria do të marrë masa kundër Ambasadorit të Shqipërisë në Beograd për shkak se ka refuzuar ta pranojë “Notën e Protestës” nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe, për shkak të incidentit që ndodhi kur autobusët e lojtarëve serbë u gjuajtën me gurë kur arritën në Tiranë.

Vuçiq ka thënë se veprimi i ambasadorit shqiptar Ilir Boçka, është një mënyrë jodiplomatike dhe për këtë arsye atij do t’i mohohet e drejta për të kontaktuar me zyrtarët serbë për 6 muajt e ardhshëm.

Kryeministri serb në një konferencë për shtyp ka deklaruar se ambasadori ka të drejtë të veprojë në atë mënyrë, por se edhe Serbia mund ta shpallë “persona non grata” (person të padëshiruar), dhe t’ua mohojë atyre kontaktin me autoritetet e institucionet serbe për gjashtë muajt në vazhdim.

“Një sjellje e tillë s’mund të tolerohet, dhe për këtë arsye ambasadori shqiptar s’do të mund të kontaktojë qeverinë serbe për gjashtë muaj”, ka thënë Vuçiq shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Vuçiq ka thënë se ka biseduar edhe me homologun e tij, kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe është vendosur që të dyja vendet ta vazhdojnë bashkëpunimin.