Serbia bën arrestimet e para për Masakrën e Srebrenicës

E publikuar: 18/03/2015 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia në Serbi ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Srebrenicës.

Këto janë arrestimet e para në Serbi të njerëzve të akuzuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e myslimanëve në qytetin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Një ekip i përbashkët i prokurorëve serbë dhe boshnjakë i ka thënë agjencisë Associated Press se të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e më shumë se 1,000 myslimanëve në një depo në rrethinat e Srebrenicës, në korrik të vitit 1995.

Të arrestuarit, të identifikuar vetëm me iniciale, është thënë se kanë qenë anëtarë të një njësie të policisë speciale të serbëve të Bosnjës. Sipas një deklarate të Prokurorisë serbe, ata dyshohet se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Mbi 8,000 myslimanë boshnjakë janë vrarë nga forcat serbe në Srebrenicë më 1995. Kjo ka qenë mizoria e vetme që është etiketuar si gjenocid nga Kombete e Bashkuara që prej Luftës së Dytë Botërore.

Prokurorët kanë thënë se janë në kërkim të të dyshuarve të tjerë në Serbi dhe vende të rajonit.

Në vitin 2011, Serbia ka arrestuar Ratko Mlladiqin, organizatorin e dyshuar të vrasjeve, dhe e ka dërguar atë në Tribunalin Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Serbia po ashtu ka gjykuar persona që kanë larguar një grup të të burgosurish nga Srebrenica dhe i kanë vrarë.

Por, ajo nuk ka arrestuar asnjë të dyshuar për gjakosjen e duarve në masakrën që ka përcaktuar luftën në Bosnje, më 1992-1995.

“Është e rëndësishme të theksohet se kjo është hera e parë që zyra e prokurorit tonë merret me vrasjet masive të civilëve dhe të të burgosurve të luftës në Srebrenicë”, ka thënë Bruno Vekariq, zëvendësprokuror për krime lufte i Serbisë, për agjencinë AP, raporton rel.

Ai po ashtu ka thënë se Serbia po i afrohet një momenti kyç në përballjen me të kaluarën.