Serbi nga Graçanica keqtrajtohet nga doganierët serbe, për shkak të një certifikate e cila ishte e nënshkruar nga një shqiptar

E publikuar: 08/02/2019 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zhivojin Qirkoviq nga Graçanica është përballuar me keqtrajtim nga pjesëtarët e doganës serbe në pikëkalimin kufitar, Merdar, për shkak të, siç ka deklaruar ai, “një certifikate e cila ishte e nënshkruar nga një shqiptar”, raporton RTV Kim.

Kur të enjten Qirkoviq kishte marrë rrugë drejt Serbisë, për të marrë pjesë në varrimin e mikut të tij, nuk i kishte shkuar mendja se në pikëkalimin kufitar Merdar do t’i dalin telashe për shkak të, siç ka thënë ai, dy letrave në karrigen e pasme të veturës.

Në një deklaratë dhënë RTV Kim përmes telefonit Qirkoviq ka thënë se për doganierët ishte kontestuese ajo që në veturë kisha certifikatën dhe një mirënjohje të nënshkruar nga një shqiptar.

“Problemi kryesor për zotërinë doganier ishte kush qe ai i cili ma kishte nënshkruar mirënjohjen, pse Nexhat Ismajli ma kishte nënshkruar mua mirënjohjen dhe kush ishte ai. Po ashtu si kam guxuar të shkoj në Prishtinë që dikush të ma jepte certifikatën dhe mirënjohjen”, është shprehur Qirkoviq.

Qirkoviq thekson se në pikëkalimin kufitar e kishin ndalur 38 minuta, për çka nga doganieri kishte kërkuar sqarim, ia kishte kërkuar emrin e mbiemrin, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Tani, që e pash si veprohet, unë plotësisht i kuptoj si ndjehen njerëzit kur dikush ndalohet në kufi dhe maltretohet vetëm pse quhet Zhivojin ose Ismajli”, është shprehur Qirkoviq.