Serbët e veriut nuk dalin në zgjedhje pa lejen e Vuçiqit

E publikuar: 09/04/2019 07:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi ka caktuar 19 majin si datë kur në veriun e Kosovës do të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash, por serbët që janë shumicë në këtë pjesë do të marrin vendimin pas dy ditësh, nëse do t’u drejtohen kutive të votimit ose jo. Ata nuk do të votojnë pa e marrë lejen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të mërkurën, përfaqësuesit e Listës Serbe do të udhëtojnë për në Beograd, ku do të takohen edhe me Vuçiqin. Mediat në Serbi kanë raportuar se në këtë takim do të merret edhe qëndrimi përkitazi me datën e shpalljes së zgjedhjeve nga presidenti Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.

Në fund të nëntorit të vjetëm, kryetari i Mitrovicës veriore, ai i Leposaviqit, ai i Zveçanit dhe kryetari i Zubin-Potokut deklaruan dorëheqjet, si shenjë pakënaqësie ndaj taksës në shkallë 100 për qind që Qeveria ka vënë për produktet me origjinë nga Serbia, si dhe për arrestimet e serbëve të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ata patën deklaruar edhe shkëputjen e komunikimit me institucionet e Kosovës. E, në letrat e dorëheqjes që i kanë deponuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Kosovës i janë referuar me “Kosovë e Metohi”, emërtim që Serbia e përdor për shtetin të cilin e konsideron krahinë të veten.

Pikërisht ky emërtim që kanë përdorur, ka shërbyer si justifikim në Qeveri që dorëheqjet të mos konsiderohen të rregullta e për pasojë nuk janë ndërmarrë deri tash veprime që do t’i hapnin rrugë zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë në të katër komunat.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)