Serbët e Kosovës mbështesin demarkacionin me Malin e Zi

E publikuar: 26/05/2016 14:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvend thonë se nuk kanë asnjë arsye për të mos e votuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, me të cilin do t’i hapnin rrugë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ata thonë se për serbët e Kosovës është me rëndësi lëvizja e lirë, që njëkohësisht nënkupton edhe nxjerrjen e pasaportave me mbishkrimet e Republikës së Kosovës.

Aktualisht një numër i qytetarëve serbë posedojnë dokumentet e udhëtimit që lëshohen nga Qendra Koordinuese në veri të vendit, një institucion i themeluar nga Beogradi zyrtar.

Deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave, edhe qytetarët serbë të Kosovës, pavarësisht ku jetojnë, do të jenë të interesuar për pasaportat e Kosovës. Rashiq tha se edhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka rekomanduar që të gjithë qytetarët të kenë pasaporta të Kosovës.

“Nëse kjo mundëson një lëvizje më të mirë dhe më të lehtë, pa viza dhe pa peripeti, që na qëndrojnë mbi kokë sa herë duhet të nxjerrim viza, mendoj se qytetarët e komunitetit serb, edhe pse kanë të drejtë në dy shtetësi, do të jenë praktikë dhe do të vendosin që vetvetes t’i mundësojnë një mënyrë normale të lëvizjes”, tha Rashiq.

Me propozimin e BE-së, Kosovës së shpejti duhet t’i hiqen vizat, pas përmbushjes së dy kushteve themelore; atë të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Votimi në Kuvend për demarkacionin është bërë i paqartë për faktin se opozita ka paralajmëruar kundërshtime të fuqishme, në vazhdimësi të protestave kundër këtij procesi.

Njëkohësisht është ngritur shqetësimi se edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvend nuk do të votojnë, për faktin se duhet të aplikojnë për dokumentet që ndërlidhen me shtetësinë e Kosovës.

Por, deputeti Rashiq thotë se serbët duhet ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion për shkak se kjo është çështje jetike për vetë serbët dhe sepse përfaqësuesit serbë kanë votuar më herët Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në Kuvend..

“Nuk shoh asnjë pengesë që ne të jemi pjesë të këtij procesi dhe me këtë të votojmë marrëveshjen për demarkacion”, tha Rashiq.

Megjithatë, i gjithë procesi i votimit të marrëveshes për demarkacion në Kuvend është vënë në dilemë për shkak të numrit të votave të nevojshme të koalicionit qeverisës përveç problemeve me kundërshtimin e opozitës dhe pakënaqësitë që mund të sillte në mesin e serbëve kërkesa për të marrë parasporta të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, tha për Radion Evropa e Lirë se askush nuk e di me saktësi se çfarë do të mund të ndodh në Kuvend, sepse janë kushtet që duhet përmbushur për votim.

“Nuk e besoj se dikush me saktësi e di nëse damarkacioni do të kalojë, sepse është fakt se për këtë na duhet një shumicëprej dy të tretash”, tha Haliti.

Marrëveshja për demarkacion, që ka ngjallur kundërshti, duket se do të futet në rend dite në fillim të muajit qershor, përkundër të gjitha pakënaqësive që mund të sjell ajo.