Senati konfirmon Gina Haspelin në krye të CIA’s

E publikuar: 17/05/2018 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Senati amerikan ka konfirmuar këtë të enjte kandidaturën e Gina Haspel për t’u bërë drejtore e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), duke i dhënë fund kështu një lufte mavijosëse kundër konfirmimit të saj, që kishte në qendër lidhjet e saj me metodat e dikurshme të torturës nga spiunët, të ashtuquajturën “waterboarding”, por edhe teknika të tjera brutale të marrjes në pyetje.

Haspel, e cila bëhet kështu e para drejtore femër e CIA-s, është një veterane 33-vjeçare në këtë agjenci, e që pas largimit të Mike Pompeos shërbeu si udhëheqëse në detyrë.

Pas votimit të senatorëve, rezultati ishte 51 pro dhe 43 kundër kandidaturës së saj në dhomën prej 100 anëtarësh, ku mjaftonte shumica e thjeshtë për miratim.

Haspel u konfirmua pavarësisht kundërshtive të ashpra mbi lidhjet e saj me metodat e ashpra të marrjes në pyetje të të dyshuarve, përfshi “waterboarding”, një lloj mbytjeje e stimuluar që konsiderohet gjerësisht si torturë, në vitet e para pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

Një oficere e pazbuluar përgjatë pjesës më të madhe të karrierës së saj në CIA, Haspel u dërgua me shërbim në Tajlandë në vitin 2002, aty ku agjencia zhvilloi edhe metodat brutale të marrjes në pyetje në një burg sekret. Tre vite më vonë, ajo hartoi një kabllogramë, përmes së cilës urdhëronte shkatërrimin e videokasetave të këtyre situatave të padëshirueshme, përcjell TCh.

Ajo mori konfirmimin pavarësisht se senatori republikan, John McCain, i cili mungon në Uashington gjatë të gjithë vitit pasi po lufton me tumorin në tru, i bëri thirrje Senatit të mos votonte në favor të saj. I torturuar edhe vet teksa ishte i burgosur lufte në Vietnam, McCain tha se miratimi i saj do të dërgonte mesazhin e gabuar.

Por, Haspel ka pasur mbështetje të fuqishme nga administrata e presidentit Donald Trump, nga shumë prej zyrtarëve aktualë dhe të dikurshëm të shërbimeve sekrete, si dhe nga shumë ligjvënës, përfshi edhe demokratë.