Sëmundja e kancerit, trajtimi plot sfida

E publikuar: 29/08/2015 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë diagnostikuar 372 raste të reja të të prekurve me kancer. Këtë e bën të ditur Ekrem Hyseni, ushtrues detyre në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Hyseni, për rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, shpjegon se cilat janë rastet më të shpeshta të kancerit.

”Në institutin Onkologjik janë paraqitur gjithsej 372 raste të reja me kancer, ku prej tyre 102 raste janë me kancer të gjirit, 76 me tumore të sistemit respirator, 64 raste me tumore të traktit gastroendestinal, 76 raste të tumoreve gjinekologjike dhe pjesa e mbetur e sistemeve tjera si kockave etj.”, bën të ditur Hyseni.

Sipas Hysenit, edhe furnizimi me barnat e nevojshme, është gati 100 për qind:

“Furnizimi me terapi e kalon 90 për qindëshin. Po ashtu shërbimi i radioterapisë është duke funksionuar shumë mirë dhe nuk ka asnjë pacient në listën e pritjes. Për trajtim paliativ, pritja është 3 ditë derisa pritja për trajtim kurativ është 2 javë e gjysmë”.

Ndërkaq, nëse krahasohet gjashtëmujori i parë i këtij viti, me vitet paraprake, shifrat flasin se numri i rasteve të reja me kancer nuk ka shënuar rritje të dukshme krahasuar me vitin e kaluar, deklarojnë zyrtarë shëndetësorë.

Në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Institutin Onkologjik gjatë vitit të kaluar janë realizuar mbi 24,000 vizita mjekësore dhe protokolle terapeutike të zbatuara te pacientët, dhe mbi 3 mijë seanca radio-terapeutike.

Sa përket terapisë, shërbimi i kimioterapisë në fillim të vitit është karakterizuar me mungesa të mëdha të citostatikëve, por përmirësimi ka filluar në muajin shkurt dhe pastaj ky përmirësim ka vazhduar, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Onkologjik, Ekrem Hyseni.

Ndryshe, në tremujorin e parë të vitit 2015, në Institutin e Onkologjisë, janë ofruar 21, 752 shërbime shëndetësore.

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë thuhet se shpenzimet spitalore të barit të kancerit janë duke dëmtuar edhe ekonomitë e vendeve më të pasura dhe janë përtej mundësive të vendeve në zhvillim, si dhe po krijojnë barrë të papërballueshme për sistemet e kujdesit shëndetësor.

Në Shoqatën e onkologëve në Kosovë thonë se janë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e numrit të të prekurve me kancer.

Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së onkologëve, për Radion Evropa e Lirë thotë:

“Duke e pasur parasysh që popullata në Kosovë është në moshë të re, mund të themi se kemi një rritje indikative të rasteve me kancer në vend. Faktorët janë të ndryshëm, duke filluar nga mënyra e jetës, si ushqyeshmëria, faktorët gjenetikë, si faktorë shumë të rëndësishëm, pastaj ambienti i ndotur etj”.

Nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq, për këtë vit janë ndarë 5 milionë euro për trajtimin e sëmundjeve malinje.

Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, shpjegon:

“Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet programit të veçantë, ndan mjete të caktuara për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet malinje. Vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 7 milionë euro për këtë sëmundje. Ndërkaq, për këtë vit, në bazë të planifikimit që ka bërë Instituti Onkologjik, janë ndarë 5 milionë euro për citostatikë”.

“Ne besojmë se me planifikim të mirë dhe shfrytëzim racional të citostatikëve, e edhe të përshkrimit me protokolle të veçanta, do të arrijmë t’i mbulojmë deri në 90 për qind të rasteve”, thotë Krasniqi.

Meqenëse forma më e shpeshtë e kancerit që prek gratë është kanceri i gjirit, vitin e kaluar mamografi mobil u vu në shërbim të grave të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Grupi i grave deputete ishte grupi që ka iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës të kryejnë kontrollet e gjirit.

Ardian Bicaku, koordinator për mamografin mobil, ka bërë të ditur për punën që është bërë për disa muaj lidhur me këtë shërbim.

“Qe gjashtë muaj po punojmë në teren. Janë ekzaminuar rreth 1,254 femra. Numri i grave që ekzaminohen me mamografin mobil është pothuajse i barabartë me punën në QKUK. Deri tash janë diagnostikuar 5 femra me kancer në gji”, thekson Bicaku.

Ai shton se përqindja e grave që bëjnë ekzaminime të gjirit është shumë i vogël dhe brengosës.

“Shënimet janë pak brengosëse, pasi që rreth 80 për qind e femrave të ekzaminuara, asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë bërë mamografi. Në vitin 2008, është bërë një hulumtim, ku ka rezultuar që 90 për qind e grave asnjëherë nuk kanë bërë(mamografi). Por, as shumë vjet pas nuk kemi një situatë më të mirë”, shton Bicaku.

Në Klinikën e Onkologjisë, siç deklaron Ekrem Hyseni ushtrues detyre në Institutin Onkologjik në QKUK, janë duke funksionuar të gjitha shërbimet dhe aparaturat, si shërbimi i onkologjisë mjekësore, shërbimi i radioterapisë, shërbimi i mjekimit invaziv, shërbimi i laboratorit, si dhe echo diagnostika e gjirit.