Selimi u tregon veteranëve se për çfarë duhet protestuar

E publikuar: 22/11/2015 22:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se ka kohë që OVL ka rënë në letargji.

“Nuk e di kur do të duhej të shqetësoheshin më shumë se tash kur jo vetëm pensionet e familjet e tyre por edhe qëllimi i luftës çlirimtare është në rrezik. Për gjendjen e tyre të rëndë veteranët kanë njëmijë arsye t’ia zënë derën Qeverisë edhe kur nuk na ua ndajnë ndihmat sociale/pensionet 170 euroshe”, ka thënë Selimi.

Njëri nga themeluesit e UÇK-së ka thënë se veteranët duhet t’ia zënë derën qeverisë edhe për jetën e tyre të rëndë, edhe për Ligjin e tyre të mangët dhe për të drejtat e veteranit.
“Por më parë se për çdo gjë tjetër ata duhet ta mbrojnë qëllimin për të cilën luftuan dhe si pasojë e mbajnë këtë emër – Veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tash kur po rrezikohen mbi 8000 hektarë të tokës për të cilën luftuam, tash kur po rrezikohet të ndahet Kosova për të cilën luftuam, tash kur Serbia ka projektuar Republikë serbe brenda territorit të Kosovës me anë të ‘Zajednicës’, shtrohet pyetja, kur duhet më shumë se sot të shqetësohet OVL”, ka thënë Selimi.

“Nëse OVL nuk bëhet e gjallë as tani a thua a kemi vërtetë Organizate të Veteranëve apo jo?”, ka pyetur Selimi.