Selimi: Qeveria Hoti e ka pozicionuar Kosovën të pabarabartë përballë Serbisë

E publikuar: 11/06/2020 14:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, para gazetarëve ka thënë se nuk mund të ftohen për dialog nga një qeveri e cila me heqjen e reciprocitetit e ka pozicionuar Kosovën të pabarabartë përballë Serbisë.

Selimi mes tjerash ka thënë se thirrja nuk është për dialog por është pajtim për një marrëveshje të rëndë për Kosovën.
“Nuk kemi të bëjmë me një qeveri as legjitime e as legale dhe në anën tjetër edhe vetë veprimet e kësaj qeveri siç është heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë e ne ndërkohë ftohemi që të mbështesim këtë qeveri për të diskutuar me Serbinë atëherë aq më të bindur jemi që kjo qeveri të ndihmohet por kjo qeveri duhet të pengohet në raport me masat dhe situatën që ka krijuar përballë Serbisë. Vetë fakti që ne të shkojmë në dialog me Serbinë duke e pozicionuar automatikisht Kosovës si të pabarabartë pra duke hequr masat na tregojmë që hapat e kësaj qeverie janë të njëjta siç kanë qenë të Thaçit e aq më tepër kur dihet përcaktues për formimin e kësaj qeveri ka qenë vetë presidenti Thaçi”, deklaroi Selimi,transmeton Express.

“Është një rutinë e shumë ambasadave që thërret qytetarët e vet se aty ku ka tubime qoftë edhe festime të jenë të njoftuar dhe asgjë më tepër asgjë më tepër nuk është se sa një njoftim që i bënë qytetarëve të vet që në datë të caktuar do të ketë tubim dhe kjo nuk mund të përdoret nga askush si kundërshtim sepse tek e fundit kanë të drejtë të mblidhen duke respektuar edhe rregullat dhe të shënojnë përvjetorin e çlirimit të vendit po ashtu edhe simpatizantët e VV-së kanë të drejtë të mblidhen dhe të shënojnë 15 vjetorin dhe kjo nuk është protestë por edhe të ishte protestë nuk është dhunë”.

“Thirrja e tyre nuk është thirrje për dialog, është pajtim për marrëveshje që është e rëndë për Kosovën”, theksoi Selimi i VV-së.