Selimi: Projekt-rezoluta e LDK e PDK, variant i cunguar i asaj të AAK-së

E publikuar: 11/01/2017 00:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se projekt-rezoluta e propozuar nga LDK dhe PDK për ndalimin e Ramush Haradinaj në Francë ishte një plagjiaturë e projekt-rezolutës së AAK-së, por që i mungonin vetëm dy pika.

“Projekt-rezoluta e PDK-së dhe LDK-së, ishte e njëjta si ajo e AAK-së por me dy pika të hequra, ishte e njejta rezolutë, por pa dy pikat e fundit”.

“Të gjithë kërkonin shpesh herë që të jemi unik, por ata na kërkuan që të jemi unik në nënshtrimin e Serbisë e ne kërkuam që t’i themi “jo” Serbisë”.

“Nuk ishte rezolutë, ishte tekst i cunguar nga projekt-rezoluta e AAK-së dhe si e tillë ka qenë e paefektshme dhe ka qenë sa për të thënë se ne kemi miratuar rezolutë”.

“Nuk ka qenë reezolutë, ka qenë variant i shkurtuar, ishte plagjiaturë e projekt-rezolutës së AAK-së”.

Selimi që ishte i ftuar në intervitsën Ballë për Ballë në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, ka thënë se mazhoranca nuk pati guxim të ndalonte bisedimet me Serbinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se Haradinaj është i vetëdijshëm se nëse do të bëhëj një rezolutë për të sot, do të ishte në të mirë të Kosovës.

“Ai e di se puna e Parlamentit do të ishte jo për ta shpëtuar atë, por si preventivë që të ndalojë Serbinë që të ndalojë qytetarët tanë kurdo dhe kudo që ajo do”.

“Haradinaj do të kthehet, ne nuk do të ndikonim në kthimin e tij ndoshta drejtpërdrejtë por do të mbronim qytetarët e Kosovës”.

Selimi ka thënë poashtu se nuk pret që Haradinaj të ekstradohet në Serbi, ndonëse sipas tij, hipotetikisht një gjë e tillë është e mundshme.

“Unë nuk pres që Haradinaj të ekstradohet, sepse mendoj se Franca nuk do ta bëjë një gjë të tillë, mjafton që ai është ndaluar atje dhe është futur në procedura krejt të panevojshme”.

“Haradinaj ka lëvizur në shtetet e BE-së dhe nuk është ndalur asnjëherë dhe nuk pres që ai të ekstradohet ndonëse hipotetikisht mund të ndodhë një gjë të tillë sepse Serbia ka nisur procedurat për një gjë të tillë”.

Sipas tij, Serbia kërkon që shqiptarët t’i ketë të robëruar, poashtu si edhe Kosovën.