Selimi mban takimin e parë me grupin punues për vetingun

E publikuar: 29/07/2020 17:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, sot kanë mbajtur online, takimin e parë me anëtarët e Grupit Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

“Është tejet me rëndësi fakti që ky grup është pjesë e një procesi të konsultimeve, poashtu është pjesë e një procesi në të cilin gjithpërfshirja ka qenë kërkesa jonë kryesore dhe për këtë kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar shoqëria civile, institucionet dhe të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës” tha Selimi.
Ministri Selimi theksoi se takimi i sotëm konfirmon se sistemi i drejtësisë është punë e hisedarëve të drejtësisë dhe jo e politikës.

“Me këtë përçojmë një mesazh përmes së cilit i tregojmë partnerëve tanë strategjikë, SHBA, BE si dhe anëtarëve tjerë, se Qeveria e Republikës së Kosovës është serioze në realizimin e procesit të reformës në drejtësi dhe vendimet të cilat do të merren, do të jenë gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme”, tha ai.

Nga ana tjetër Zëvendëskryeministri Selmanaj në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë që ka ky proces i reformës në drejtësi përmes së cilit synohet përmirësimi i sistemit të drejtësisë.

“Jemi përball një procesi shumë të rëndësishëm dhe si i tillë, nuk do të jetë pronë as e politikës dhe as e Qeverisë. Përmirësimi i sistemit të drejtësisë mbetet prioritet për ne, ndërsa modeli se si do të jetë ky proces do të jetë rezultat i punës tuaj. Deri në fund të muajit tetor të këtij viti, presim nga ky grup që të përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe pas kësaj ne do të marrim obligim që t’i materializojmë këto vlerësime që dalin nga puna juaj në këtë proces” tha Selmanaj.

Nga takimi i Grupit Punues, pjesëmarrësit u pajtuan që kryesues i këtij grupi të jetë përfaqësuesi nga shoqëria civile, Florent Spahija.