Sektori i sigurimeve nuk duhet t’i nënshtrohet trajtimit diskriminues tatimor

E publikuar: 26/10/2017 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sektori i sigurimeve duhet t’i nënshtrohet parimeve të njëjta të tatimit në të ardhurat e korporatave si pjesa tjetër e ekonomisë, në mënyrë që t’i hapet rruga zhvillimit të këtij sektori, shkruan infosot.

Kjo ishte kërkesa kryesore e kompanive të këtij sektori në një takim të mbajtur në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutuan sfidat kryesore të cilat rëndojnë barrën në sektorin e sigurimeve.

Përfaqësuesit e kompanive të sigurimit shprehën besimin se situata e tanishme, ku tatimi në të ardhura korporative mblidhet si përqindje e primeve bruto për vitin respektiv dhe jo bazuar në fitimin real të kompanive, ashtu siç është rasti me kompanitë e të gjithë sektorëve të tjerë, gjë që sipas tyre paraqet diskriminim të qartë dhe trajtim jo të drejtë që pamundëson zhvillimin e sektorit.

Rrjedhimisht, kompanitë e sektorit të sigurimeve e shohin si të domosdoshëm ndryshimin e dispozitave përkatëse të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, gjë që ishte paraparë edhe si masë e Pakos Fiskale 2.0, aprovuar nga Qeveria në qershor të këtij viti.

Në takim u diskutua edhe për disa sfida me të cilat ballafaqohet ky sektor, duke përfshirë moszbatimin e duhur të Ligjit për Automjete, ku sipas përfaqësuesit e kompanive, humbjet për buxhetin e Kosovës si rezultat i mos regjistrimit të plotë të automjeteve arrijnë vlera milionëshe.