Sektori privat kërkon nga Qeveria t’i ekzekutojë pagat e muajit maj

E publikuar: 21/06/2020 10:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sektori privat në Kosovë është përballur me humbje të mëdha për shkak të koronavirusit.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, duke folur në lidhje me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat, ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur që pagën e dytë të punëtorëve ta ekzekutojë në fund të muajit maj.

“Po përfundon edhe muaji i katërt që kemi filluar me pandeminë dhe është dashur që edhe buxheti për rimëkëmbjen ekonomike të shpërndahet, ku as faza e parë nuk ka arritur të përfundojë për shkak të mospërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Azemi.

“Sipas vendimit që ka Qeveria e Kosovës paga e dytë e punëtorëve për Covid-19 është dashur të ekzekutohet në fund të muajit maj dhe ne jemi në fund të muajit qershor dhe ende nuk ka përfunduar faza e parë. Edhe kjo Qeveri po vazhdon me trendin e jashtëligjshëm sikurse Qeveria e mëhershme sepse ne si sindikatë kemi njoftuar opinionin se janë bërë keqpërdorime në ndarjen e mjeteve. Dhe ne prapë po thërrasim qeverinë uluni dhe shikoni gabimet që janë bërë nga e kaluara”, shtoi Azemi.

Mes tjerash, ai ka thënë se mbi 20 mijë punëtorë të sektorit privat nuk kanë marrë as pagën e parë nga Qeveria.

“Punëtorët e sektorit privat janë të zhgënjyer sepse kemi mbi 20 mijë punëtorë të sektorit privat që nuk kanë marr as pagën në fazën e parë aq më keq një shumë bukur e madhe kanë shkuar në llogaritë e punëtorëve. Kemi kompani që nga zeroja deri në fund kanë shkuar në llogari të pronarëve dhe nuk kanë shkuar në llogari të punëtorëve”, ka deklaruar Azemi.

Ai tregoi se mbi 8 milionë euro janë keqpërdorur nga pronarët e kompanive private duke shkuar pagat në llogari të tyre dhe jo punëtorëve.

“I kemi njoftuar të gjitha institucionet dhe prokurorinë që neve po na bënë të dyshuar që edhe kjo qeveri do të vazhdojë trendin e qeverisë së mëhershme për keqpërdorimin e mjeteve. Ka mbi 8 milion euro që janë keqpërdorur dhe ne kemi fakte. Kemi çdo ditë punëtorë që vijnë këtu dhe po e humbin vendin e tyre të punës sepse  jemi shumë të paorganizuar për të mbrojtur këtë fuqi ekonomike që e kemi”, shtoi Azemi.

Sipas tij, punëtorët po frikësohen t’i shprehin shqetësimet e tyre sepse mund të largohen prej punës nga pronarët e tyre, duke shtuar se shteti është në kolaps.

“Kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi filluar të protestojmë si në Gjilan dhe në shumë komuna të tjera lidhur me keqpërdorimin e mjeteve që kanë bërë pronarët e kompanive por sigurisht rrezikmshëri e vendit të punëtorëve për vendin e punës”.

“Në momentin që kryhet tubimi pronarët e kompanive thërrasin punëtorët dhe i largojnë nga puna. Andaj punëtorët thonë se më mirë të punojnë pa dy tri paga që i ka ndarë Qeveria sesa të mbesim pa punë. Shteti është në kolaps”, shtoi ai për EO.

Azemi ka thënë se kanë dërguar kërkesë te kryeministri, dy zëvendëskryeministrat dhe ministri i Financave, mirëpo ende janë në pritje për një bashkëbisedim në lidhje me zgjidhjen e problemeve që kanë./GS/