Sektori i minierave në fokus të investitorëve kanadez

E publikuar: 18/10/2018 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim Ambasadorin e Kanadasë jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiu, me të cilin diskutuan për zhvillimet në vend, si energjia, teknologjia e informacionit, por me theks të veçantë për sektorin minerar.
Fokusi kryesor i takimit ishin potenciali minerar që ofron Kosova, me këtë rast ministri Lluka e njoftoi ambasadorin për zhvillimet e fundit për Trepçën, si krijimi i bordit, finalizimi i statutit si dhe studimi i fizibilitetit i cili është duke u zbatuar, .

“Që nga takimi jonë i fundit janë bërë zhvillime pozitive për sa i përket ndërmarrjes së Trepçës, është krijuar bordi, është finalizuar statuti dhe studimi i fizibilitetit është duke u zbatuar. Pasi të finalizohet gjithçka në Trepçë do të donim të shihnim më shumë kompani kanadeze në të”, tha ministri Lluka.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mundësitë e investimeve kanadezë në sektorin e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese, po ashtu edhe në sistemin e ujitjes, ku kreu i MZHE-së tha se mirëpret investimet kanadeze në këta sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund të takimit Ambasadori kanadez tha se është i kënaqur që ka përparime në sektorin minerar dhe tha se investitorët kanadez do të fokusohen edhe në sektorë te tjerë.