Sekretari Pompeo, thirrje për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

E publikuar: 21/07/2018 16:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimeve në OKB me homologun koreanojugor dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Antonio Guterres, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për të zbatuar plotësisht sanksionet ndaj Koresë së Veriut. Zoti Pompeo tha se do të duhen hapa konkrete nga Pheniani, përpara se të lehtësohen sanksionet.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i bëri një thirrje të fuqishme komunitetit ndërkombëtar për të ruajtur presionin ndaj Koresë së Veriut, derisa Kim Jong Un-i të përmbushë premtimet që i bëri Presidentit Donald Trump gjatë samitit të Singaporit, për fillimin e procesit të çnuklearizimit të plotë dhe të verifikueshëm.

“Zbatimi i fortë i sanksioneve është thelbësor për arritjen e objektivit tonë. Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, si dhe të gjitha vendet anëtare të OKB-së kanë rënë dakort njëzëri për të zbatuar plotësisht sanksionet ndaj Koresë së Veriut dhe ne presim prej tyre që ta përmbushin këtë angazhim”, – tha Sekretari Pompeo.

Sekretari Pompeo dhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, paralajmëruan se Koreja e Veriut po përpiqet të shmangë sanksionet, duke trafikuar nëpërmjet detit produktet e karburantit, mbi sasinë e lejuar nga sanksionet ndërkombëtare.

“Problemi me të cilin po përballemi është se disa prej miqve tanë kanë vendosur të shkelin rregullat. I patë shkeljet e ndalimit të eksportit të karburantit”, – tha ambasadorja Haley.

Disa ekspertë i thanë Zërit të Amerikës se Kina ka tradicionalisht një historik shumë të keq për sa i përket sanksioneve.

“Duhet t’i bëjmë presion Kinës të zbatojë sanksionet që kanë vendosur, pasi vetëm kështu do të qëndrojnë rreth tryezës dhe do të përmbushin ato për çfarë janë zotuar”, thotë Dean Cheng, i Fondacionit “Heritage”.

Të enjten, Rusia dhe Kina bllokuan SHBA-në, duke shtyrë me gjashtë muaj ndalimin e shitjeve të mëtejshme të karburantit për Phenianin.