Sekretari Pompeo, thirrje për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

E publikuar: 04/08/2018 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo bëri sot thirrje që vendet të zbatojnë me rigorozitet sanksionet ndaj Koresë së Veriut. Komentet e tij u bënë pas publikimit të një raporti të OKB-së ku paralajmërohet se Koreja e Veriut ka gjetur mënyra për të shmangur sanksionet e vendosura për shkak të programit të saj bërthamor.

Sekretari amerikan i Shtetit risolli në vëmendje angazhimet e ndërmarra nga Koreja e Veriut.

“Më datë 12 qershor, kryetari Kim Jong Un ndërmorri angazhime këtu, në po këtë vend. Ai tha se do ta çnuklearizojë vendin e tij. Që nga ajo kohë, ne po punojmë për të ndërtuar procesin nëpërmjet të cilit do të arrihet kjo gjë”, tha Sekretari Pompeo.

Megjithatë zoti Pompeo nënvizoi “rëndësinë e ruajtjes së presionit diplomatik dhe ekonomik ndaj Koresë së Veriut për të arritur çnuklearizimin e plotë dhe të verifikueshëm për të cilin ka rënë dakort”.

Pheniani është alarmuar ndërkohë nga qëndrimet e fundit amerikane, por Ministri i jashtëm Koreanoverior Ri Yong Ho u shpreh se vendi i tij do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore. Ai shtoi megjithatë se qëndrimet e fundit të Shteteve të Bashkuara janë alarmuese dhe një kthim pas tek qëndrimet e vjetra.

Një raport i sapopublikuar i OKB-së thotë se Koreja e Veriut ka patur “një rritje masive” të transferimit të paligjshëm të produkteve të karburantit në det të hapur, për të shmangur sanksionet e vendosura.

Në raport dokumentohen gjithashtu shkelje të embargos së vendosur ndaj eksporteve të qymyrgurit, hekurit dhe produkteve të detit që i sjellin miliona dollarë të ardhura Phenianit. Ka gjithashtu tregues se Koreja e Veriut po vazhdon të prodhojë raketa.

Sekretari Pompeo u shpreh se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me shumë seriozitet çdo shkelje të sanksioneve. Ai madje përmendi se Rusia po ndihmon firmat e Koresë së Veriut dhe jep në masë leje pune për punëtorë sezonalë nga ky vend.

Sidoqoftë, gjatë takimit rajonal të ministrave të jashtëm të ASEAN-it në Singapor, Sekretari Pompeo dhe Ministri i jashtëm koreanoverior Ri shtrënguan duart dhe premtuan të kenë shkëmbime të tjera produktive. Në vijim, ambasadori amerikan në Filipine i dorëzoi Ministrit Ri një letër nga Presidenti Trump për Kim Jong Unin. Shtëpia e Bardhë tha se ishte një përgjigje ndaj një letre të dërguar nga Koreja e Veriut pak ditë më parë.