Sejdiu: Vetëm pse keni temperaturë s’do të thotë se jeni prekur nga koronavirusi

E publikuar: 12/03/2020 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka bërë apel tek qytetarët që të mos bëjnë panik nga situata e krijuar si pasojë e koronavirusit.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë më shumë nëpër shtëpi dhe të mos shkojnë për kontrolle në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, por kontrollet t’i bëjnë nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare apo në Spitalet e afërta Rajonale.

Po ashtu, ai ka thënë se nëse ata persona që dyshojnë se janë të prekur nga koronavirusi, nuk duhet të bëjnë panik nëse nuk kanë pasur kontakt me ndonjë person që mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj virusit.

Sejdiu thotë se simptomat e koronavirusit COVID-19 janë të përafërta me ato të gripit sezonal, dhe thotë se vetëm se keni temperaturë nuk do të thotë se automatikisht jeni të prekur nga koronavirusi. Ai ka kërkuar që qytetarët të mos bëjnë panik e të vërshojnë Klinikën Infektive në QKUK.

“Nëse s’kanë simptoma, nëse s’kanë pasur kontakt me ndonjë person që mund të ketë qenë i prekur, nuk duhet të shqetësohen. Kontrollet mund t’i bëjnë nëpër QMF ose në Spitale Rajonale, e të mos orientohen të gjithë në Infektivë sepse ngufatet puna e klinikës”, tha Sejdiu për Kohën.

Ndërkaq, Sejdiu ka thënë se janë siguruar 100 mijë maska kirurgjike që mund të shfrytëzohen nga mjekët.