Sejdiu: Specialja të merret me raste individuale, mos ta përlyejë luftën e UÇK-së

E publikuar: 25/03/2015 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish- presidenti i Kosovës dhe kryetari i nderit të LDK-së, Fatmir Sejdiu gjatë një ligjërate që ka zhvilluar me studentët e Fakultetit të Filozofisë ka shtjelluar shumë çështje rreth Kosovës dhe zhvillimit të saj si shtet i pavarur.
Sejdiu ka përmendur edhe kohën e nisjes së procesit të bisedimeve me Serbinë.

Ai ka theksuar se Marti Ahtisari mbetet nga njerëzit dhe strategët e udhëheqjes së proceseve negociuse.

“Momenti i përcaktimit për president Ahtisarin që të udhëheq procesin e bisedimeve ka qenë një fat i madh për Kosovën. Mbetet nga njerëzit dhe strategët e ndërtimit të një tipi “siu generis” të udhëheqjes së proceseve negociuse të vështira”, ka thënë Sejdiu, raporton Indeksonline.

Sejdiu gjithashtu ka folur edhe rreth formimit të Gjykatës Speciale, ku është shprehur optimist se kjo gjykatë nuk do t’i ndjekë hapat e paraardhëseve të saja.

“Jam i vetëdijshëm që misionet e deritanishme ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë nuk kanë treguar efikasitetin e duhur, mirëpo kam shpresën që kjo Gjykatë do ta kryej misionin e saj në mënyrën e duhur”, ka thënë Sejdiu në këtë debat.

Sejdiu ka thënë se Gjykata Speciale duhet të merret me rastet individuale të krimeve të luftës, nëse ka pasur, mirëpo, siç ka thënë ai, në asnjë mënyrë nuk guxon të përlyhet lufta e pastër e UÇK-së, raporton Indeksonline.

Më pas Sejdiu ka folur edhe rreth premtimeve të zyrtarëve të qeverisë gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se qeveritarët duhet të dalin dhe të përballen me qytetarët dhe të tregojnë se a i kanë plotësua 200 mijëshen e premtuar për vendet e punës apo 150 mijëshen, a e kanë realizuar ndonjë projekt të premtuar.

Ai ka potencuar se do të vijë edhe momenti i liberalizimit të vizave dhe integrimit në BE pavarësisht padrejtësive që po bëhen në këtë drejtim.