Sejdiu po mendon t’i japë fund karrierës politike

E publikuar: 08/05/2018 00:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, ka thënë se ka raporte të mira me kolegët deputetë të LDK-së dhe Alternativës, që përbëjnë një grup të përbashkët parlamentar.

“Aktualisht kam bashkëpunim të jashtëzakonshëm me GP tim, ku bën pjesë LDK-ja dhe Alternativa, do ta vazhdoj këtë bashkëpunim deri në fund të mandatit”, tha Sejdiu në Interaktiv të KTV-së.

I pyetur nëse do të kalojë në ndonjë subjekt politik, deputeti Sejdiu tha:

“Do të vendos nëse do të vazhdoj me politikë, e nëse po, ku”.

Sejdiu: Platforma e dialogut me Serbinë të ketë kushte – të udhëhiqet nga njerëz pa interesa personale

Deputeti i pavarur Korab Sejdiu, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Grupi Parlamentar i LDK-së, grup të cilit i përket edhe vetë deputeti, ka kërkuar që të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe tha se jemi unikë për këtë.

“Nëse arrihet të gjendet data për zgjedhje, mirë, nëse jo, duhet të gjejmë një konsensus”, tha Sejdiu.

“Koalicionit aktual ka gjasa që t’i mbesë vetëm një deputet dhe të thonë se i kemi numrat”, u shpreh me ironi deputeti Sejdiu, ndërsa tha se në këtë legjislaturë nuk dihet se kush është kryeministër.

“Tek ne nuk ka moral politik. Kemi shumë skandale në këtë qeveri dhe e udhës do të ishte të jepte dorëheqje, por mungon morali politik”, shtoi ai.

“GP ynë parlamentar ka menduar që është më mirë të arrihet një konsensus dhe në këtë formë i jep një afat kësaj qeveria që të gjejë një strategji dalëse”, u shpreh më tej ai.

Sipas deputetit Sejdiu, pjesëmarrja e disa subjekteve politike nëpër këto tryezat politike po bëhet vetëm për ‘sy e faqe’ dhe nuk ka sinqeritet tek partitë në pozitë.

Në lidhje me platformën për dialog me Serbinë, Sejdiu tha se ajo nuk e reflekton momentumin aktual politik dhe nuk besoj që ka gjasa të kalojë në Kuvend në formatin aktual.

“Nga bisedat e mia me kolegë deputetë, shihet qartë se grupet parlamentare nuk e pranojnë atë format. Është mundësia të shtohet, të përmirësohet ose të hiqet diçka nga ajo platformë. Mua më duket e cektë, ka mungesë të temave. Çështja e të pagjeturve duhet të jetë temë e parë dhe parakusht për vazhdimin e dialogut”, u shpreh deputeti i pavarur, pjesë e GP të LDK-së, Korab Sejdiu.

Ai foli edhe për çështjen e udhëheqjes së dialogut me Serbinë nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

“Nëse i jepet mandat presidentit Thaçi të zhvillojë dialogun me Serbinë, atëherë ai deri më tani paska zhvilluar dialog pa mandat. Presidenti Thaçi ka probleme serioze në përfaqësimin e Kosovës karshi Serbisë. Na duhet një ekip më gjithëpërfshirës, gazetarë, analistë, nga shoqëria civile. Na duhet dikush që nuk ka çfarë të humbasë në interesin e tij”, theksoi ai, ndërsa shtoi se duhet ndoshta të dilet edhe jashtë spektrit politik për të udhëhequr dialogun sepse “kemi të bëjmë me interes kombëtar”.

Në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetëror se Asociacioni duhet të ndërlidhet me ulësen e Kosovës në OKB, Sejdiu tha se AKS-ja duhet të bëhet vetëm sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Nuk duhet të lejojmë të bëjmë një Bosnje të dytë”, u shpreh ai.

“Puna e deputetit ish interesante. Nëse dëshiron të punosh, ke punë sa të duash, e nëse s’do, mund të rrish dhe rroga të ecë. Fatkeqësisht kemi një keqmenaxhim të punës së Kuvendit dhe qasje të keqe të Qeverisë ndaj Kuvendit. Kemi qeveri ‘rrush’ me ministra, ‘rrush’ me zëvendësministra, dhe të mos vijë ai ministër për të cilin flitet në Kuvend duke qenë se i ka 4-5 zëvendësa, këtë e shoh si papërgjegjësi prej anës së tyre”, tha Sejdiu.