Sejdiu: Pa votat e PSD-së nuk ka opozitarizëm të fortë

E publikuar: 22/11/2018 22:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dardan Sejdiu nga PSD, ka thënë se qeveria nuk rrëzohet me rezoluta, sikurse ajo e sotmja në kuvend.

Ai ka thënë se për të arritur këtë synim duhet strategji e qartë dhe një opozitë e bashkuar që do të ulej në tavolinë dhe ta diskutonte këtë paraprakisht.

“Mendoj që kështu nuk rrëzohet qeveria. Qeveria rrëzohet me një strategji të menduar mirë nga opozita . LDK dhe Vetëvendosje i kanë 45-46 vota, sot ju munguan 10. Ajo çfarë dua të them është se nuk është tentativë serioze. As nuk po lejojnë të ulemi në një tavolinë dhe të ecim përpara”, ka thënë Sejdiu, njofton Klan Kosova.

“PSD është i vetmi subjekt konkret. Kur filloi Thaçi konferencat për shtyp për korrigjim kufijsh i dërguam letër edhe LDK dhe VV duke ju thënë se duhet seancë e jashtëzakonshme, në fillim të gushtit dhe nuk na u përgjigjën fare, edhe për rastin e prokurorit Blakaj, nuk na u përgjigjën. Më 9 shtator Avdullah Hoti më tha se kemi një rezolutë për ta ndalë Thaçin dhe i thash se për 15 minuta i ke nënshkrimet. Por këta janë të ngulfatur në mendimin elektoral. E Interes primar për Kosovën është heqja qafe e Serbisë”.

Sejdiu ka thënë se Partia Socialdemokrate është parti përcaktuese.

“Pa votat e PSD-së opozitarizëm të fortë, efektiv nuk ka. Duke e pasë këtë parasysh duhet të ulemi dhe të dakordohemi se cilat janë prioritetet e kësaj opozite”.

“E kemi republikën parlamentare, kemi propozuar si PSD që dialogun ta kthejmë në kuvend. Nga viti 2011 ky koncept i dialogut ka dështuar, anëtarësimi nëpër organizata nuk po ndodh. Gjithmonë ka fraksion në mes të palëve në vend. Na duhet një platformë shtetërore në kuvend për ridizajnim të dialogut. Mund të ndërtohet edhe ekip shtetërore. Kemi bërë orvatjet e fundit dhe me anë të kuvendit shpresojmë ta formësojmë përmbajtën për çfarë duhet të flasim dhe çfarë jo, kjo duhet të burojë nga kuvendi. Nuk ka kuptim të ndërtohet ekip dhe platformë pa ditur se për çfarë do të flasë ajo ekip”.