SEJDIU KËRKON REFORMIM TË MIRËFILLTË TË LDK-SË

E publikuar: 01/03/2016 20:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatmir Sejdiu i cili për disa vite drejtoi Lidhjen Demokratike të Kosovës, tash po kërkon reformim të mirëfilltë të kësaj partie. Sipas tij, kjo tash është kthyer në domosdoshmëri për LDK-në.

Sipas Sejdiut, drejtimi i LDK-së nga Isa Mustafa dhe klientela e tij po e rrënon partinë e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Madje, krejt kjo, ai thotë se po bëhet edhe duke e shfrytëzuar personalitetin e Rugoves.

Ky është shkrimi i plotë i Fatmir Sejdiut në facebook:

Kriza në LDK-serioze; reformimi i mirëfilltë i saj i domosdoshëm

Proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe në këtë kontekst edhe LDK si subjekt politik që qeverisë me vendin shtrojnë detyrën dhe domosdoshmërinë për mobilizim serioz të gjthanshëm dhe me përfshirje të gjerë të të gjithë faktorëve. Është për keqardhje që nuk ka pasur vullnet dhe qasje racionale politike e të dialogut të mirëfilltë që do të evitonin skenat e dhunshme të shpërfaqura në institucione dhe jashtë tyre.

Ditëve të fundit janë zhvilluar ngjarje dhe paraqitur probleme që lidhen me udhëheqjen e LDK-së si në planin e qeverisjes së vendit, poashtu edhe në planin e brendshëm të LDK-së. Tendenca e lidershipit të LDK-së që këto probleme t’i shohë dhe interpretojë si të ndikuara e shkaktuara nga faktorë të jashtëm, duke iu shmangur trajtimit dhe zgjidhjes së tyre, vetem sa e ka ndare përfundimisht këtë lidership të LDK-së nga strukturat e organizuara lokale, nga anëtarësia dhe vullneti i saj programor.

Duke pasur parasysh këtë gjendje dhe temat e mëdha me të cilat është përballur vendi, është e habitshme se nga kryetari i LDK-së që është edhe në krye të qeverisë, asnjëherë deri tash nuk është ftuar organi më i lartë i partisë- Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së, për t’i trajtuar dhe për të marrë qëndrim serioz rreth tyre. Përkundrazi, duke anashkaluar këtë institucion, janë improvizuar tubime me tema të parëndësishme për momentin të disa “forumeve” të paqena dhe jostatutare.

Reagimet e fundit të anëtarësisë së LDK-së anekënd Kosovës dhe jashtë saj kanë adresuar saktë dhe me të drejtë përgjegjësinë për këtë gjendje të rëndë brenda LDK-së tek një pjesë e udhëheqjes së LDK-së me në krye kryetarin e saj. Injorimi i këtyre thirrjeve dhe reagimeve të anëtarësisë bartë në vete rrezikun e një përshkallëzimi të brendshëm në LDK deri në braktisje masive të anëtarësisë prej saj, edhe për shkak se vendimet e shumta të lidershipit të LDK-së haptas bien ndesh me vullnetin e anëtarësisë, por edhe me vetë deklarimet e këtij lidershipi.

Në këtë kontekst, gjuha kërcënuese e linçuese e kryetarit dhe një pjese të lidershipit të LDK-së ndaj zërave kritik e plural, si një vlerë e përhershme e LDK-së, që janë deputetë të zgjedhur, kryetarë degësh, anëtarë të zgjedhur e aktivistë të strukturave të ndryshme të LDK-së, ka shkaktuar shqetësim dhe brengosje të madhe te anëtarësia e gjerë e LDK-së. Praktikat e tilla në LDK ishin të panjohura deri më tash dhe si të tilla janë të papranueshme.

Gjuha e fyerjeve, e linçimeve dhe e urrejtjes që e ka instaluar Isa Mustafa, duke mos kurser madje as shoqërinë civile e intelektualët, por edhe mediet, që bëhet me vetëdije të plotë në mbrojtje të interesave të ngushta të tij, e ka braktisur traditën e urtë dhe argumentuese te LDK-së me të cilën ajo ka komunikuar përherë për gjithë keto vite me anëtarësinë dhe qytetarët, por edhe me subjektet rivale në skenën politike të Kosovës.

Konfrontimet brenda LDK-së, por edhe konfrontimet me subjektet e tjera politike, që po nxiten nga kryetari dhe nje pjese e vartësve të tij , pa ndonjë vlerë dhe humbës të dëshmuar të zgjedhjeve –të instaluar në pozita të ndryshme në qeveri, tregojnë humbjen e plotë, jo vetëm të arsyes, por edhe të çfarëdo lidhjeje të këtyre njerëzve me anëtarësinë e LDK-së, vlerat dhe interesat e saj.

Duke zbatuar praktikat klienteliste e nepotike të modelit “vet në qeveri e familjarët në borde ndërmarrjesh e ambasada” nga kjo kategori e lidershipit janë shkelur tashmë të gjitha parimet e vlerat e LDK-së dhe kështu janë dëmtuar rëndë edhe interesat e shtetit për të cilat të tillët deklarohen vazhdimisht se i mbrojnë. Prandaj, përfundimisht është koha për të ndalur rrënimin e mëtejmë të LDK-së, që me veprimet e tilla duket si një mision i Isa Mustafës me klientelën e tij.

Shfrytëzimi dhe manipulimi me veprën dhe personalitetin e Presidentit Ibrahim Rugova qoftë për të fyer të tjerët, qoftë për të glorifikuar vetveten, siç po bën lidershipi i tashëm, dëshmon vobektësinë e autoritetit të tyre politik e publik, ndërkohë që në anën tjetër secili veprim, qëndrim dhe deklarim i tyre është në kundërshtim flagrant me kulturën politike të tolerancës dhe mirëkuptimit që ishte kultivuar nga Presidenti Rugova dhe LDK brenda vetes dhe në raport me subjektet tjera politike.

Prandaj, mobilizimi i gjithanshëm i anëtarësisë në këto momente ështe mobilizim për shtetin, për Kosovën e lirë dhe demokratike, me vlera të lirisë, të pluralizmit dhe të shtetit ligjor. LDK ka një potencial të fuqishëm që me metoda antidemokratike gjatë këtyre viteve të fundit është mënjanuar, përjashtuar e ndëshkuar nga ky lidership. Fatkeqësisht, ndjekja e këtyre praktikave përjashtuese e përçarëse, si dhe praktikat e avancimit të humbësve dhe sjellja në pozicione qeverisëse e personave të dështuar dhe të ardhur në LDK nga parti minore, kanë pasur për qëllim mënjanimin nga skena të intelektualëve dhe anëtarësisë tradicionale më vitale të LDK-së, si dhe mbylljen e portës për potencialin e ri intelektual mbështetës të vlerave dhe programit të LDK-së.Kryetari dhe klientela e tij e instaluar në struktura drejtuese të LDK-së në një proces të brendshem zgjedhor të improvizuar dhe manipuluar drejtpërsëdrejti prej tij, janë mbyllur në një rreth të ngushtë duke shërbyer dhe shpërblyer njëri tjetrin.

Prandaj, është koha që të gjithë bashkarisht të marrim përgjegjësi konkrete për të mos lejuar shkatërrimin e mëtejmë të LDK-së. Meqë kriza në LDK është serioze, asaj i duhen me urgjencë reformat dhe ndryshimet në lidershipin e saj duke përfshirë hapjen ndaj njerëzve me vlera që ka brenda vetës, personaliteteve të rëndësishme e intelektualëve të dëshmuar dhe në veçanti ndaj të rinjve që janë potenciali më premtues i Kosovës në përgjithësi dhe LDK-së në veçanti.

Është koha për hapa konkretë. Urgjentisht duhet hapur dialogu dhe debate i vërtetë, kritik e i sinqertë brenda anëtarësisë së LDK-së për ta shpëtuar në orën e fundit këtë forcë politike me histori të lavdishme shtetformuese, që duhet të paraqesë edhe të ardhme premtuese për vendin.

Në këtë drejtim edhe unë, si njëri ndër bashkëthemeluesit e saj, ish kryetar dhe kryetar nderi i saj, do të angazhohem thellësisht që LDK t’iu kthehet vlerave të përhershme të anëtarësisë së saj dhe të jetë një parti e denjë e familjes së partive evropiane të qendrës së djathtë, për ta zhvillluar vendin dhe demokracinë e vërtetë në të, duke e kultivuar miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe BE-në, si mbështetëse të vazhdueshme të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të përgjithshëm të vendit tonë. /RTK/