Sejdiu: Gazi lotsjellës pati efekt, ndaj se përjashtojmë nga përdorimi

E publikuar: 29/07/2016 18:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu ka thënë se VV do të marrë pjesë në seancën ku do të jetë si pikë e rendit të ditës ratifikimi i marrvëeshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Do të marrim pjesë në seancë por nuk mund të futemi në një diskutim për demarkacionin në një formë që do të legjitimohet ky model i Demarkacionit. Le të bëhet forma siç duhet dhe le të bëhen parimet siç duhet dhe ne jemi për Demarkacionin”, tha ai në Klan Kosova.

Ai është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalet derisa të ndalet edhe ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Nuk do të ndalemi derisa të ndalet ky proces, Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që të ndalojë këtë proces”.

Ai nuk e ka përjashtuar as gazin lotsjellës duke thënë se “gazi na ka sjellë në një pozitë ku Kushtetuesja thotë që kryeministri ka shkelur Kushtetutën 23 herë, e në çdo vend normal te botës, kryeministri do të jepte dorëheqje”.