Sejdiu akuzon Thaçin se është bërë argat i Serbisë për ndarjen e Kosovës

E publikuar: 25/09/2018 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i pavarur i dalë nga AKR-ja, Korab Sejdiu në “Express Intervistën” në KTV, ka komentuar pretendimet e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë, duke thënë se synimin e kahershëm të Serbisë për ndarje të Kosovës, po e bën presidenti si argat i tyre
I ftuar për të sqaruar pjesëmarrjen në protestën e 29 shtatorit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Sejdiu ka thënë se ideja e Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën është aventurë e tij për faktorizim të vetetes.

“Nuk është e drejtë që të spekulojmë me absurditetet që na jep presidenti çdo ditë. Ai është lëshuar në disa aventura për faktorizim të vetvetes. Ai po i shkakton dëme shtetësisë së Kosovës. Ne kemi punuar shumë që të vijmë deri te shtetësia. Atë që nuk ka mundur ta bëj Serbia, po e bën presidenti Thaçi dhe po bëhet argat i tyre. E jona është që të bëjmë çmos që të neutralizohet efekti i veprimeve të tij”, ka thënë Sejdiu që ka shtuar se Thaçi pa mandat kushtetues po negocion për t’i dhënë territor Serbisë.

“Kemi institucione kyçe të kapura. Kemi presidentin që po negocion për t’i dhënë territor Serbisë pa pasur mandat. Kemi një Kuvend që është i dirigjuar nga Beogradi dhe është jofunksional”, ka shtuar deputeti i pavarur.

Duke komentuar rastin e Thaçit që e ka dërguar çështjen e udhëheqjes së dialogut nga vetë ai në Kushtetuese, Sejdiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka rast të mirë që të pastrojë emrin nga vendimet kundërthënëse që ka dhënë më herët.

“Përbërja e re e Gjykatës, gjykatësit që e kanë dhënë betimin ndaj Kushtetutës dhe kësaj republike shpresoj që ata ta kthejnë drejtimin e Gjykatës në binarë dhe që njëherë e përgjithmonë t’i kthehet nenit 113 që saktëson se çka mund të adresohet në Gjykatë. Ata betimin nuk e kanë dhënë ndaj Thaçit, por ndaj Kushtetutës dhe republikës”, ka thënë ai.

Për protestën e së shtunës, Sejdiu ka thënë se ajo nuk është e ndërlidhur veç me një subjekt politik dhe se është moment kritik për Kosovën që qytetarët të reagojnë ndaj gjendjes aktuale.

“Kur kemi një president që shpërfill Kushtetutën, kemi një qeveri që e falimenton shtetin. Kemi shumë dëme që po i shkaktohen Kosovës, kemi institucionet e kapura nga një kastë politike. Ka ardhur momenti dhe e shoh si obligim tonin që të revoltohemi ndaj kësaj gjendje. Duke e pasur parasysh që është e pamundur të arrihet qëllimi përmes rrugëve institucionale, atëherë me Kushtetutë na garantohet protesta”, ka thënë veç të tjerash Sejdiu që i ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së që t’i bashkojnë forcat për rrëzimin e qeverisë së Ramush Haradinajt.

“Mënyra më e mirë do të ishte unifikim të forcave politike VV-LDK dhe qeveria e ardhshme të ketë fuqinë politike dhe qytetare, këto subjekte do të pasuroheshin me një numër të madh të njerëzve që do të donin të kontribuonin në qeverisjen e re. Protesta do të jetë paqësore, ne duhet të kontribuojmë drejt asaj. Nuk do të ishte e çuditshme nëse pushteti do të tentojë të destabilizojë situatën. Sipas informatave do të jetë protestë më ndryshe, do ta çojë mesazhin që qytetarët janë zoti i kësaj shtëpie”, ka thënë ai.