Sefaj: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, prioritet i MPB-së

E publikuar: 17/10/2017 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Flamur Sefaj foli lidhur me prioritetet dhe sfidat e ministrisë që ai drejton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalimin e tij para anëtarëve të këtij komisioni, Sefaj tha se MPB ka për mision kujdesin për implementimin e ligjit dhe ruajtjen e sigurisë të njerëzve dhe pronës në gjithë territorin e Kosovës. “Makro prioritetet kanë të bëjnë me punën e Ministrisë së Brendshme dhe janë prioritete nacionale siç është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, lufta kundër terrorizmit dhe kontrolli i radikalizmit të çdo lloji dhe luftimi me dhunën, punën e madhe që duhet bërë për anëtarësim në organe dhe organizata ndërkombëtare”, theksoi Sefaj.

Ndërsa sa i përket prioriteteve të tjera Sefaj tha se një problem tjetër shumë i madh dhe që lidhet me jetën e njerëzve në Kosovë ka të bëjë me aksidentet rrugore. Ai bëri të ditur se janë duke punuar me ministritë dhe institucionet tjera për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe elementet e tjera, si kontrollimi i numrit të pjesëtarëve të policisë në trafik.

Duke theksuar se kryeministri Haradinaj ka iniciuar që të punohet në luftën kundër drogës në ambientet shkollore, Sefaj tha se mosha e konsumuesve të drogave është ulur shumë në Kosovë dhe sipas tij do të hidhen hapat e duhura në këtë aspekt.

Kurse, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi i cili është njëri nga anëtarët e këtij komisioni kërkoi nga ministri Sefaj që në mbledhjet e ardhshme të prezantojë procesin e gradimit të nivelit të lartë në Policinë e Kosovës gjatë kohës së tranzicionit paszgjedhor.