Seanca për dështimin me vizat vazhdon të enjten me votim të rezolutës së opozitës

E publikuar: 05/12/2018 01:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas disa orëve diskutimi, është vendosur që seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e thirrur nga opozita lidhur me dështimin për liberalizim vizash, të vazhdojë të enjten me vendosjen në votim të rezolutës së propozuar nga LDK-ja e VV-ja.

Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, tha se në mungesë kuorumi nuk mund të hedhet në votim rezoluta e opozitës që kërkonte zgjedhje të reja, duke shtuar se votimi i saj mund të bëhet të enjten.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, propozoi që votimi të bëhet të enjten me fillim prej orës 10:00, ndërsa shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se para seancës të së enjtes do të diskutohet për harmonizim të rezolutës, gjë që u kërkua nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra.

Kryesuesi Haliti shtoi në fund se rezoluta që kërkon dorëheqjen e qeverisë është e papranueshme për pozitën.