Seanca ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit po mbahet me dyer të mbyllura

E publikuar: 17/12/2018 12:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata përsëri e ka mbyllur seancën dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Olivier Ivanoviqit. Seanca e cila ka filluar në orën 11, po bëhet pa praninë e mediave e publikut.

Kjo nën arsyetimin se seancat dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së paraburgimit janë të mbyllura, gjë e cila nuk ceket askund në Kodin e Procedurës Penale në fuqi.

Tre të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, sot kanë dalë përsëri para Gjykatës në Prishtinë, ku do të shqyrtohet edhe një herë kërkesa për masën e paraburgimit.

Muajin e kaluar ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, mirëpo Gjykata e Apelit duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve ka kërkuar që Themelorja ta rishqyrtojë edhe një herë kërkesën e Prokurorisë.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviqit sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë është i dyshuar edhe nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojiçiq, i cili është në kërkim.