Scott: Turp për Serbinë t’ia lejojë një krimineli lufte udhëheqjen e Paradës Ushtarake

E publikuar: 10/05/2019 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, ka reaguar në lidhje paradën e sotme ushtarake në Serbi.

Scott, përmes një postimi në Twitter, e ka cilësuar turp për Serbinë faktin që gjenerali serb i dënuar për krime lufte në Kosovë, Vlladimir Llazareviq, në Ditën e Evropës në Nish e udhëhoqi këtë paradë.

“Turp që një kriminel i dënuar lufte, të marshojë para atyre të cilët dëshirojnë t’i nderojnë aleatët të cilët kanë vdekur duke luftuar për drejtësi dhe paqe në Evropë. Dita e Evropës = Vlerat e Evropës”, ka shkruar Ambasadori Scott në llogarinë e tij në Twitter.

Qyteti i dytë më i madh i Serbisë, Nishi, dje e ka shënuar Ditën e Fitores mbi Fashizmin, e njohur edhe si Dita e Evropës, me parakalimin e “Regjimentit të Pavdekshëm”, të cilit i ka prirë një gjeneral i dënuar për krime lufte në Kosovës.

Gjenerali, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës dhe i Armatës së Tretë, Vlladimir Llazareviq, ishte dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burgim për krime lufte mbi shqiptarët, transmeton Koha.net.

Ai ishte liruar në dhjetor të vitit 2015, pas 10 vjetësh vuajtjeje të dënimit.