Scott përkujton ditën kur u gjetën të vrarë vëllezërit Bytyçi, kërkon dënim për ekzekutorët

E publikuar: 14/06/2019 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një postim në Twitter, në anglisht dhe në serbisht, ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott, ka përkujtuar se si sot, para 18 vjetësh, në vendin Petrovo Selo në Serbi, është zbuluar varreza masive me trupat e 75 kosovarëve të vrarë nga forcat ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë gjatë luftës në vitin 1999

Kyle Scott ka përkujtuar se në mesin e këtyre kufomave që u zhvarrosën më 14 qershor të vitit 2001, kanë qenë edhe trupat e tre shtetasve amerikanë me mbiemrin Bytyçi.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi janë vrarë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në korrikun e vitit 1999.

Ata janë vrarë derisa kanë qenë të arrestuar nga Policia e Serbisë dhe derisa mbaheshin në një burg të saj në Prokuple.

“Vrasja e bërë nga ata që duhet ta zbatojnë ligjin, ende ka mbetur e padënuar”, ka shkruar sot Scott.

Më herët gjatë këtij muaji ambasadori Scott kishte thënë se SHBA-ja nuk mund ta harrojë vrasjen e tre shtetasve të saj me origjinë nga Kosova.

“Ata janë vrarë nga prapa me plumb në kokë dhe me duar të lidhura”, ka shkruar Scott.