SBAShK’u nuk heq dorë, thotë se orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen deri në vendim të Gjykatës

E publikuar: 11/03/2019 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni parlamentar për Arsim në një mbledhje të mbajtur sot, ka vendosur që të premten të takohet me Ministrin e Arsimit, Shyqri Bytyqin dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar nga greva në arsim

Deputeti Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim, ka thënë se SBAShK’u duhet ta rishqyrtojë qëndrimin e vet, pasi sipas tij duhet të respektohet vendimi i gjykatës.

“Sindikata e ka konstatuar vendimin e ministrisë dhe e ka dërguar në gjykatë ndërsa gjykata e ka shpallë vendimin si të pabazë. Ndërsa, të shtunën është bë një gjendje kaosi. Ka klasë të cilat e kanë mbajt mësimin, por një anë tjetër nuk e kanë mbajt mësimin sepse e kanë respektuar kërkesën e sindikatës. Pas humbjes së madhe të mësimit e cila është e kontestueshme, askush nuk është përgjigj për atë kaos tani po na lind një çrregullim, një pjesë duke zëvendësuar një pjesë jo”, ka thënë Kurteshi.

Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, tha se mund të thërrasin në komision ministrin dhe sindikatën dhe t’i ballafaqojnë mes vete për të gjetur një zgjidhje, çka edhe u përkrah nga anëtarët e tjerë. 

Ndërkaq kryetari i SBAShK’ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Express se do të marrin pjesë në takimin e së premtes, por vetëm për të treguar edhe një herë se do ta mbajnë qëndrimin e tyre për mos zëvendësimin e orëve.

“Kemi dëgjuar nga mediat, ata kanë planifikuar të na thërrasin të premten në një takim bashkë me ministrin Bytyqi. Ne do të shkojmë në atë takim, por vetëm për të mbajtur edhe një herë qëndrimin tonë. Qëndrimi ynë është të mos zëvendësohen orët, deri në një vendim të Gjykatës.  Do ta respektojmë Ligjin, sepse askush nuk mund të jetë mbi të. E Ligji nuk i obligon grevistët t’i zëvendësojnë orët e humbura në grevë”, ka thënë Jasharaj për Express.

MASHT’i pati marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve të organizuar nga SBASHK-u.

Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur do të zëvendësohet si në vijim: pesë ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019; pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019 dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

E për këtë vendim, SBAShK’u ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë./Express