SBASHK: Mësimdhënësve po iu bëhen padrejtësi

E publikuar: 04/09/2015 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka reaguar ndaj padrejtësive që u bëhen mësimdhënësve nga tekat e drejtorëve të shkollave dhe atyre nëpër komuna. Kjo sindikatë thotë se do të angazhohen kundër këtyre padrejtësive dhe i ka lutur të gjithë mësimdhënësit që të mos heshtin ndaj padrejtësive, po t’i paraqesin ato në SBASHK me argumente e dokumente që flasin për shkeljet që u janë bërë atyre.

Në selinë e SBASHK-ut vazhdimisht vijnë mësimdhënës nga e tërë Kosova dhe shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me veprimet e drejtorëve të shkollave dhe të zyrtarëve të DKA-ve.Ata shprehen se ndaj tyre veprohet sipas tekave dhe interesave personale të dikujt. SBASHK-u dëgjon me kujdes këto shqetësime dhe angazhohet të vërtetojë gjendjen faktike në mënyrë që pa gabuar të veprojë.

Një nga rastet më të rënda që tregon se çështjet nuk zgjidhen në mënyrë të drejtë e duke u bazuar në fakte po në tekat e dikujt është ai në Komunën e Mitrovicës.Drejtoresha e DKA-së në këtë komunë, znj. Ajmane Berani , për arsyet që vetëm ajo i di, i është tekur anëtares së SBASHK-ut , mësimdhënëses Figene Buçinca dhe që nga viti i kaluar shkollor është munduar ta largojë nga Shkolla “Avdullah Shabani” e për ta sjellë në vend të saj një person tjetër. Të cekim se mësimdhënësja Buçinca në këtë shkollë ka krijuar marrëdhënie të rregullt pune që nga viti shkollor 2000/2001. DrejtoreshaBeranie shtyrë nga tekat e saj lëshon një vendim të pabazuar në fakte që t’ia ndërpres kontratën e punës kësaj mësimdhënëseje, që në shkollë e vlerësojnë me notën më të lartë për angazhim dhe arritje.

Mësimdhënësja Figene Buçinca i është drejtuar SBASHK-ut dhe bashkërisht janë angazhuar që çështjen ta ketë të ditur edhe MASHT. Të gjithë këta janë angazhuar që çështja të zgjidhet drejtë e me dialog, por këtë nuk e ka dëshiruar DKA-ja në Mitrovicë dhe prandaj çështja ka shkuar në Gjykatë dhe te inspektori komunal i arsimit në Mitrovicë. Të dy këto institucione duke u bazuar në argumente dhe fakte kanë lëshuar vendime me shkrim duke deklaruar see drejta është në anën e kësaj mësimdhënëseje. SBASHK-u ka kopjet e vendimeve të Gjykatës dhe Inspektorit të arsimit lidhur me këtë rast dhe ato i ka dërguar edhe në MASHT.

Drejtoresha e DKA-së në Mitrovicë edhe pas kësaj ka deklaruar se nuk i ka lexuar vendimet as të Gjykatës e as të Inspektorit, por do të veprojë sipas kokës së saj dhe për këtë arsyeduke bërë edhe presion ka dërguar në këtë shkollë e për këtë vend pune një person tjetër. Në këtë shkollë dhe në shkollat tjera kur veprohet kështu me teka mund të ketë edhe përplasje. Kështu nuk kontribuohet në përmirësimin e cilësisë në arsim.

SBASHK-u me të gjitha forcat do të angazhohet kundër padrejtësive që u bëhen mësimdhënësve nga tekat e drejtorëve të DKA-ve dhe i lut veprimtarët sindikalë nëpër komuna dhe vetë mësimdhënësit që mos të heshtin ndaj padrejtësive, po t’i paraqesin ato në SBASHK me argumente e dokumente që flasin për shkeljet që u janë bërë atyre.