Santos padit Barçën për Neymar

E publikuar: 30/05/2015 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Neymar është pa diskutim një nga yjet më të ndritshëm të Barcelonës, por transferimi i tij vazhdon të shkaktojë telashe për blaugranat, të cilët merkaton e kësaj vere e kanë të mbyllur për shkak të bllokadës nga FIFA. Edhe pse kanë kaluar 2 vjet nga kalimi i brazilianit në Camp Nou, Santosi pretendon se nuk është paguar sa duhet nga Barcelona, ndaj ka nisur procedimin ligjor. Presidenti i ish klubit të Neymar, Modesto Roma Jr bëri të ditur se ka marrë vetëm 17.1 milionë për shitjen e tij, ndërkohë që shuma e deklaruar nga Barça është shumë herë më e lartë.

“Kemi paraqitur një ankesë zyrtare te FIFA kundër Barcelonës, Neymar, agjentit dhe kompanisë së tij të marketingut. Më 31 Maj 2013, ramë dakord për shitjen e tij për 17.1 milionë Euro plus 2 milionë bonus nëse do të ishte finalist për Topin e Artë. Më pas kemi marrë vesh se vlera e tij ka shkuar në 83 milionë Euro. Në këto kushte mendojmë se Barcelona na detyrohet ende dhe në të kundërt mund të përballet me sanksione. Ky veprim nuk është kundër një idhulli të klubit, por nuk mund të qëndronim të heshtur në një situatë të tillë”.

Sërish për Neymar, por në një hetim më vete, presidenti i Barcelonës, Bartomeu dhe paraardhësi i tij Rosell akuzohen në Spanjë për evazion fiskal dhe parregullsi në transferimin e brazilianit.