Sanksionet ndaj Teheranit dhe marrëdhëniet SHBA – Iran

E publikuar: 25/07/2018 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me afrimin e afatit të 4 gushtit për vendosjen e raundit të ri të sanskioneve amerikane ndaj Iranit, lufta e fjalëve mes Teheranit dhe Uashingtonit, i kanë bërë të mendojnë disa komentatorë për Lindjen e Mesme për mundësinë e shpërthimit të një konflikti. Monedha iraniane, rijal-i, po ashtu është ulur së tepërmi, duke shënuar një rekord prej 95 mijë rijalë ndaj dollarit amerikan; kjo tregon që rijali ka humbur më tepër se gjysmën e vlerës që nga fillimi i vitit, duke e vënë para presionit qeverinë, që të bëjë diçka.

Presidenti iranian Hassan Rouhani shkakoi një stuhi spekullimesh lidhur me çështjen se si Teherani do të reagonte ndaj sanksioneve, duke thënë gjatë fundjavës se lufta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara “do të ishte “nëna e të gjitha luftrave” dhe se “paqja me Iranin do të ishte nëna e të gjitha marrëveshjeve”, duke ja lënë derën hapur të dyja mundësive. Irani po ashtu thotë se i jep afat vendeve europiane nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, deri më 6 gusht, për të gjetur një mënyrë për vazhdimin e eskportimit të një pjese të naftës që ka vendi.

Duke mos dashur të mbetet prapa, Presidenti amerikan hyri në një grindje verbale, duke e paralajmëruar Iranin përmes një tweet-i, “që të mos i kërcënojë kurrë më Shtetet e Bashkuara, ose në të kundërt, do të vuajë pasoja, të cilat pak herë i ka përjetuar në të gjithë historinë e vet”.

Ish Presidenti iranian Abolhassan Bani-Sadr i tha Zërit të Amerikës se ai mendon që “të dy udhëheqësit kanë hyrë në një garë ulërimash, ngaqë asnjëri nuk ka një strategji reale, përveçse lojëra dhe një retorikë fëminore. Në se ndonjëri prej burrave do të kishte ofruar një zgjidhje, – këmbëngul ai, – ne do ta kishim dëgjuar deri tani.”

Bani Sadr argumenton se për krizën ka tre zgjidhje, jo një mijë” dhe se ai mendon që Teherani do të dilte në secilin prej rasteve humbës.” “Zgjidhja më e thjeshtë është që Irani të pranojë diktatin e Uashingtonit,” siç e quan ai, – “dhe të fillojë të negociojë”. Ai e cilëson këtë si “opsioni i Koresë së Veriut”. “Pas shkëmbimit të fyerjeve”, thotë Sadr, “të dyja palët do të mbajnë një qëndrim miqësor dhe në fund do të negociojnë.”

“Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit,” thotë Bani Sadr,”është zgjidhja më e vogël e pëlqyeshme, sepse kjo do të thonte luftë”, thotë ai, “dhe pasojat e saj do të ishin të patolerueshme, jo vetëm për Iranin, por për

Europën dhe Azinë, dhe ndoshta më pak për Shtetet e Bashkuara”. Kjo gjithashtu do të thonte, një “dështim i plotë” për gjithshka ka bërë Presidenti Rouhani në 5 vitet e fundit.

Khattar Abou Diab, profesor i shkencave politike në Universitetin e Parisit, dyshon që Irani do ta bllokonte Ngushticën e Hormuzit. “Është e rëndësishme të mbahet mend”, – thotë ai, – “se Lufta e Gjirit e viteve (1981-1988) zgjati për 7 vjet dhe se megjithë vdekjen dhe shkatërrimet, pati një rrugë pa dalje, deri në momentin kur Irani bëri gabimin fatal, duke sulmuar cisternat e naftës”.

“Irani bëri një tjetër gabim”, kujton ai, “duke sulmuar anijet e Kuvajtit, që valëvisnin flamuj amerikanë për mbrojtje, duke provokuar një reagim shumë të fortë nga Flota e 5-të e SHBA, që u pasua me ndërhyrjen e OKB-së dhe mundjen e Iranit. Kjo, shton ai, “solli pranimin nga Irani të rezolutës së OKB-së për ndalimin e luftimeve.

Komentatori veteran Saudit Jamal Kashoggi, po ashtu dyshon që Irani do të përpiqej ta bllokonte Ngushticën e Hormuzit, ose që do të përpiqej të ndalonte trafikun e naftës në Gjirin Persik. “Ky do të ishte një akt lufte dhe do ta kishte të gjithë botën kundër,”- thotë ai.

Khashoggi argumenton se Arabia Saudite “e mirëpret pozicionin e fortë amerikan kundër Iranit” dhe shton se edhe Riyadh-i është “aktiv në betejën e fjalëve me Teheranin”, duke theksuar se ambasadori saudit në

Uashington, Princi Khaled Ben Salman “e kritikoi ashpër Iranin në një artikull të botuar disa ditë më parë në të përditshmem Arab News.”

“Arabia Saudite kërkon një qëndrim më të fortë kundër Iranit”, – thotë ai, – “ngaqë beson se iranianët nuk sillen mirë, apo nuk ndryshojnë, përveçse me presion”. Shtete të tjera të Gjirit, mendon ai, “do të kenë një qëndrim më të kujdesshëm ndaj Iranit, ngaqë kanë më tepër marrëveshje biznesi me iranianët”.

Jamal Khashoggi mendon se Irani “mund të kërkojë të ketë një marrëveshje madhore me SHBA”, duke përfshirë pozicionin ndaj Sirisë, Jemenit, si dhe aftësitë e tyre për raketa balistike e bërthamore.

“Irani është duke negociuar me Izraelin për pozicionin në Siri përmes rusëve, gjë që është për të ardhur keq për arabët”- thotë Khashoggi. Ai thotë se “e ardhmja e Sirisë po përcaktohet nga Izraeli, Rusia dhe Irani. Kjo tregon se sa shumë janë dobësuar arabët”- thotë ai me keqardhje.