Sanksionet ekonomike amerikane ndaj Iranit

E publikuar: 07/08/2018 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sanksionet ekonomike amerikane ndaj Iranit, hynë në fuqi mesnatën e së hënës dhe vënë në shënjestër sektorin e automjeteve, tregëtinë e arit dhe metaleve të tjera të çmuara, si edhe monedhën iraniane. Presidenti Donald Trump shkruante të martën në Twitter se ato nuk janë më të ashprat dhe në nëntor do të ashpërsohen edhe më shumë. Ai shtonte se ata që bëjnë biznes me Iranin, nuk do të bëjnë biznes me Shtetet e Bashkuara dhe se synimi i tij ishte vetëm vendosja e paqes në botë.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njoftimi për rikthimin e sanksioneve i distancon edhe më tej Shtetet e Bashkuara nga aleatët evropianë.

Presioni ndaj Iranit po ashpërsohet. Administrata e Presidentit Trump ka vendosur raundin e parë të sanksioneve, pasi u tërhoq nga marrëveshja bërthamore për Iranin në maj. Një raund i dytë është parashikuar për në në nëntor, përfshirë sanksione për shitjen e naftës.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo thotë se objektivi është që të ndryshojë atë që Uashingtoni e konsideron qëndrim armiqësor.

“Aktualisht Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin një fushatë diplomatike dhe financiare për të ndërprerë fondet që regjimi përdor për të pasuruar vetveten dhe për të mbështetur vdekje dhe shkatërrim”.

Administrata e Presidentit Trump shpreson që sanksionet do të çojnë në një marrëveshje më të mirë sesa ajo që u arrit në vitin 2015, gjatë presidencës së Barack Obamës.

Në një tubim së fundmi në Missouri, Presidenti Trump tha se është i hapur për negociata të reja.

“Jemi të gatshëm për një marrëveshje, por jo si ajo e administratës së kaluar, që ishte katastrofike”.

Por presidenti iranian Hassan Rouhani e hodhi poshtë këtë ide në një fjalim televiziv të hënën.

Hassan Rouhani

President i Iranit

“Çfarë kuptimi kanë negociatat kur njëkohësisht vendosen sanksione? Është njëlloj sikur dikush të nxjerrë një thikë për të goditur një rival ose armik në krah, dhe njëkohësisht të pretendojë se ‘duhet të flasim dhe negociojmë”, tha ai.

Sanksionet e reja, ndalojnë çdo transaksion me Iranin që përfshijnë bankonota, arin, metale të çmuara, alumin, çelik, avionë pasagjerësh dhe qymyr.

Steve Hanke, ekonomist në Universitetin “Johns Hopkins” nuk ka besim se sanksionet do të funksionojnë.

“Sanksionet mbajnë regjimin në pushtet. Dhe së dyti, ato janë një mundësi tërheqëse për mafiat kriminale që të nxjerrin fitime të shumta përmes kontrabandës”.

Aleatët evropianë janë kundër rivendosjes së këtyre sanksioneve. Bashkimi Evropian ka zbatuar një masë që ndalon kompanitë evropiane që të respektojnë sanksionet amerikane dhe që mbron ato nëse bëjnë biznes me Iranin.

“Sapo të hyjë vendimi në fuqi në 6:00 të mëngjesit me orën tonë, do t’u japë mundësi operatorëve të Bashkimit Evropian që të kompensojnë dëmet e shkaktuara nga sanksionet amerikane nga personat që i shkaktojnë ato dhe anulon efektin në BE të çdo vendimi të gjykatave të huaja bazuar në këto sanksione”, tha Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Iran e ka mohuar vazhdimisht se programi i tij bërthamor ka si synim zhvillimin e armëve. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se Irani e ka respektuar marrëveshjen e vitit 2015 dhe se marrëvehsja ka krijuar mundësi për një verifikim më të mirë të aktiviteteve bërthamore të Iranit.