Samsung: Shitjet e Galaxy Note 8-ës 2.5 herë më të larta sesa Note 7

E publikuar: 14/09/2017 05:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Samsung Electronics tha ditën e Marte se porositë për telefonin më të fundit premium të kompanisë, Galaxy Note 8, kanë arritur një shifër rekord për këtë linjë duke thyer rekordin e Note 7 në pesë ditë me 2.5 herë.

Samsung mbështetet tek ky telefon për të mbrojtur dominimin në treg ndërsa përgatitet për të konkurruar me iPhone të cilët do të prezantohen ditën e sotme.

Shitjet e Note 8 fillojnë në mbarë botën të Premten. Porositë për Note 8-tën arritën në 650,000 brenda 5 ditëve në 40 shtete tha presidenti i biznesit mobil të Samsung Dj Koh.

Telefoni pason modelin famëkeq të vitit të kaluar Galaxy Note 7, bateritë e të cilit rezultuan fatale jo vetëm për produktin por edhe kompaninë.

Dëmi i shkaktuar prej Note 7 përllogaritet në të paktën 5 miliard dollar. Reputacioni i Samsung mori goditjen më të rëndë dhe shitjet e telefonëve të kompanisë ranë ndjeshëm.

Çmimi i Note 8 prej 930 deri në 960 dollar shënon një pikënisje të një epoke telefonësh premium me kosto deri në 1,000 dollar.

Ditën e sotme Apple pritet të prezantojë edicionin special të iPhone i pajisur me ekrane pa skaje dhe realitetin e shtuar dhe do të konkurrojë me Note 8-ën. /PCWorld Albanian