Samiti në Turqi dënon vendimin e Presidentit Trump për Jeruzalemin

E publikuar: 14/12/2017 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Turqia organizoi një takimi emergjence të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku marrin pjesë 57 vende anëtare, nga u transmetua një kritikë e ashpër ndaj vendimit të Presidenti Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, njofton nga Stambolli se në takim u bë thirrje edhe për njohjen e shtetit palestinez.

22 udhëheqës morën pjesë në takimin një-ditor të organizuar në Stamboll, së bashku me 23 ministra të jashtëm.

Takimi u zhvillua ndërsa vazhdojnë përplasjet pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Organizatori i takimit, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, shfrytëzoi fjalën e hapjes për të kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Duke treguar harta, zoti Erdogan akuzoi Izraelin se synon të marrë të gjitha territoret palestineze dhe se përdor forcat e sigurisë për t’u sjellë si një shtet terrori.

Zoti Erdogan paraqiti edhe kërkesa konkrete për komunitetin ndërkombëtar.

“Ftoj të gjitha vendet që mbrojnë ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë që të njohin Jeruzalemin se kryeqytetin e shtetit të pushtuar të Palestinës. Nuk mund të vonohemi më shumë. Si vende islamike, nuk do të tërhiqemi kurrë nga kërkesa jonë për një Palestinë sovrane dhe të pavarur, me Jeruzalemin si kryeqytet të saj”, deklaroi zoti Erdogan.

Por, takimi nxori në pah ndasitë që ekzistojnë në rajon, ndërsa kryetarët e shteteve të rëndësishme si Arabia Saudite dhe Egjipti nuk morën pjesë.

“Pikëpamja amerikane është shumë e rëndësishme për Arabinë Saudite dhe Egjiptin. Ata nuk duan t’i rezistojnë vendimit të SHBA-së. Mund të themi se janë të heshtur, krahasuar me Turqinë, Jordaninë dhe Iranin”, thotë Mesut Hakki Casin, i Universitetit Istinye.

Udhëheqësi palestinez Mahmoud Abbas mbajti një fjalim sfidues, duke pretenduar se Presidenti Trump është i izoluar në qëndrimin e tij rreth Jeruzalemit.

“Me këtë, Shtetet e Bashkuara humbën cilësinë e mediatorit dhe nuk mund të kenë një rol në procesin politik. Nuk do ta pranojmë më këtë rol në procesin politik. Është i njëanshëm në favor të Izraelit. Ky është qëndrimi ynë, dhe shpresoj të na mbështesni”, deklaroi zoti Abbas.

Deklarata përmbyllëse për mediat shpalli angazhimin për njohjen e shtetit të Palestinës, me kryeqytet Jeruzalemin Lindor.