Sami Lushtaku sqaron opinionin për spekulimet rreth postit të Drejtorit të Trepçes

E publikuar: 31/10/2017 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku përmes faqes zyrtare të tij në FB ka thënë se së fundi i është keqpërdorur emri pasi që kundërshtarët politikë kanë shpërndarë dezinformata kinse Lushtaku do të bëhet Drejtor i Trepçës. Këtë informatë Lushtakau e ka vlerësuar si propagandë ndaj tij dhe ka sqaruar opinionin se nuk është e saktë.

“Ky informacion është absolutisht i pasaktë, një gënjeshtër e kulluar, ngase as që më ka shkuar mendja të marr një përgjegjësi të tillë që të bëhem drejtor i kësaj ndërmarrjeje, e lëre më të bëj ndonjë hap në këtë drejtim”, sqaron Lushtaku në FB.

Tutje ai ka sqaruar se është mik me Agim Bahtrin, por që askush nuk ka të drejtë të shpërndajë informata në emrin e tij.

“Pastaj, një informacion tjetër që po qarkullon në këtë kohë fushate, është tendenca e ndarjes së rajonit Mitrovicës në ata që vijnë nga Shala e Bajgorës dhe ata që vijnë nga Drenica. Këso lloj ndarjesh i do vetëm UDB-ja. Është pikërisht e kundërta. Është fakt i pamohueshëm që në Mitrovicë, Drenica dhe Shala kanë lidhje familjare në mbi 90% të rasteve.

Gjithashtu, dua ta bëj të qartë dhe se jam i vetëdijshëm se nuk është hera e parë që emri im keqpërdoret kinse unë paskam ndikim në Mitrovicë. Kjo është bërë në vazhdimësi viteve të fundit, ku është bërë një propagandë për ndikimin tim në këtë qytet, gjë që është fryrë edhe nga mediat. Shumë njerëz anekënd Kosovës kanë bërë karrierë në politikë, media e shoqërinë civile duke shpifur e hedhur baltë në emrin tim, duke propaganduar pa skrupull mbi mua.

Asgjë personale nuk kam me askënd, as me Agim Bahtirin. Përkundrazi, gëzojmë respekt të ndërsjellë. Madje, Agimi haptazi deri më 20 tetor të këtij viti e ka deklaruar miqësinë dhe vlerësimin që ka ndaj meje. Shumë herë edhe jemi takuar në aktivitete e ngjarje të ndryshme. Por, nuk ka të drejtë as ai, as askush të thirret ose flasë në emrin tim. Unë emrit tim i dal zot vet për çdo gjë. I kam dalë zot në kohëra më të vështira, në kohë lufte. Tani e gëzojmë lirinë dhe përsëri emrin tim nuk lejoj ta cenojë ose keqpërdorë askush”, ka shkruar Lushtaku në FB.