Salihi, goleadori që nuk rresht së shënuari

E publikuar: 08/09/2016 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

27 golat e realizuar sezonin e kaluar që i dhanë trofeun e golashënuesit më të mirë të kampionatit, ishin vetëm një tregues i aftësive që zotëron Hamdi Salihi përpara portës. Një golashënues i lindur vetëm kështu mund të përkufizohet sulmuesi shkodran i cili sezonin e ri e nisi me një dygolësh ndaj Flamurtarit për t’i dhënë tre pikët e para në këtë kampionat Skënderbeut. Vitet kalojnë por pesha e tyre nuk ndihet mbi shpatullat e Hamdi Salihit i cili sa vjen e përmirësohet gjithnjë e më shumë.

Sezoni i kaluar filloi me një dëmtim në ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe 32-vjecari duhet të priste javën e 4-t ndaj Bylisit për të realizuar golin e tij të parë në kampionat me Skënderbeun. Këtë vit Salihi e nisi me një dygolësh ndaj Flamurtarit dhe nëse vazhdon me këto ritme gjasat janë që të shënojë më shumë se 30 gola në kategorinë Superiore. Ai djalë ka shumë klas dhe përpara portës shfaqet gjithmonë si një bomber i vërtetë. Me një Hamdi Salihi që nuk ndalet kurrë së shënuari edhe Skënderbeu do ta ketë më të lehtë të fitojë titullin e 7-t rradhazi. Mbetet për tu parë nëse Pero Pejic do të dijë të rivalizojë me shkodranin në garën për Këpucën e Artë, por kroati është i paralajmëruar, ndryshe nga para dy apo 3 sezonesh kur Pero nuk kishte rivalë për tu shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit pasi me një Salihi në formë të tillë sulmuesi i Kukësit duhet ti bëjë mirë llogaritë.