Salah shënon gol të bukur ndaj Portugalisë, por Ronaldo i kundërpërgjigjet me dy të tjerë në fund të ndeshjes (Video)

E publikuar: 24/03/2018 05:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Portugalia dhe Egjipti kanë zhvilluar një ndeshje tejet të bukur miqësore.

Kampionët aktual të Evropës kanë arritur ta mposhtin Egjiptin me përmbysje në fund të ndeshjes.

Në fakt pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi me rezultat të barabartë 0-0.

Por me të filluar pjesa e dytë, mysafirët gjetën golin e epërsisë.

Ishte super sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah që shënoi një gol të bukur për 0-1 në minutën e 56’.

Kur të gjithë prisnin fitoren e Egjiptit, në skenë doli futbollisti më i mirë në botë për vitin e fundit, Cristiano Ronaldo.

Ronaldo arriti ta barazonte rezultatin në 1-1 në minutën e 92’, duke shënuar me kokë pas asistimit nga Quaresma.

E krejt në fund të ndeshjes, Quaresma asistoi edhe njëherë për Ronaldon i cili shënoi edhe golin e dytë në këtë takim me kokë për 2-1.

Kësisoj portugezët morën një fitore të bukur në miqësore, ndërsa tri ditë më vonë do të përballen në një tjetër ndeshje miqësore por kësaj radhe me Holandën. /Telegrafi/