Sadriu: Dyshoj se ka pasur korrupsion në rastin e privatizimit të fabrikës “Silcapor”

E publikuar: 19/10/2020 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, ka thënë se ka dyshime mbi një rast të privatizimit në vitin 2003 që ka të bëjë me fabrikën “Silcapor”.

Ai ka thënë edhe se në vitin 2008 ishin djegur disa dokumente në AKM dhe që sipas tij, për to nuk u interesua askush.

Sadriu shpreson që ky proces më në fund të zbardhet, ndërsa potencoi para deputetëve se ndërkombëtarët nuk kishin synime të mira për procesin e privatizimit.

Sipas tij, po të mos ishin aleatët amerikan që ndihmuan procesin e privatizimit me ekspertë, privatizimi kishte me pas edhe më shumë lëshime.

“Unë i mbaj mend tri procese të privatizimit, ajo çfarë mund të them është se pavarësisht që ndërkombëtarët kanë qenë shumicë, aty ku kemi qenë unik ne me Ali Jakupin, tashmë të ndjerë, edhe me Bahriun(Shabani), ndërkombëtarët janë stopuar. Kemi përdorë edhe metoda të tjera, nuk kemi shkuar në seanca dhe nuk është bërë punë shumë, sepse vërejtëm disa gjëra se qysh në start nuk do të shkojnë mirë. Por, mos të ishin aleatët amerikanë, të cilët I kisha brenda Ministrisë së Financave të në ndihmojnë me ekstra ekspertë sigurisht se do të kishte pasur shumë lëshime. Ata (ndërkombëtarët në bord) kanë qenë njerëz me përvojë. Kishin bërë privatizime në Evropën Juglindore, por në fund kanë ardhur prej Beogradit me një simpati të veçantë për ta(Serbinë). Kështu që unë sot jam ballëhapur, e Aliu besoj që sot është I qetë sot në varrë ku është”, tha Sadriu.

Ish-ministri Sadriu duke iu përgjigjur kryesuesit të Komisionit, Hajrulla Ceku për identifikim e individëve ose grupeve që mund të kenë qenë shkaktar të kësaj gjendje të keqe të privatizimit, tha se dyshon që janë keq përdorë mbi 1 milionë euro nga një privatizues me emrin Berisha në rastin e fabrikës “Silcapor”.

“Nuk e them për shkas, ka qenë një tender të cilin ndërkombëtarët kanë tentuar shumë me shtyrë dhe ka pasur shumë përplasje. Nuk e kemi lejuar. E kanë dërguar si lëndë në Gjykatën e Veçantë dhe atje i është dhënë e drejta. Bëhet fjalë se kur janë hartuar dispozitat ligjore për politikat operacionale, kishte qenë një nen të cilin nuk e kemi vërejtur dhe ishte përvjedhur një lëshim që nëse ofertuesi i parë i cili ka fituar tenderin heq dorë mund të jetë blerës ofertuesi i dytë. Mendimi ynë ishte që mund të jetë blerës i dyti, por jo me çmimin që e ka ofruar, me çmimin e të parit. Tenderi ishte në vlerë mbi 3 milionë, edhe mund të kem harruar shifrën e saktë, sepse kjo kishte ndodhur para 17 viteve. Ndryshimi nga ofertuesi parë me të dytin ishte 1 milionë e 50 mijë euro. Ne nuk e kemi pranuar. Janë mbajtur disa seanca, në fund e kemi miratua në kuptimin që nuk u pranua ajo ofertë e ofertuesit të dytë. Procesi është dërgua në Gjykatë, ajo ia ka lejuar. Sot bindja ime është pa fakte, ai është korrupsion i pastër Gjykatës… (40)Çeku: Ishte fjala për “Silcaporin”? Po. Privatizuese në atë kohë mbiemrin Berisha e ka pasur”, tha Sadriu.

Sadriu po ashtu në pyetjen e deputetit Hekuran Murati për djegien e dokumenteve në AKM në vitin 2008, tha shkurt se këto nuk janë djeg për të mirë.

“Tash po me kërkoni me spekuluar unë, nuk digjet ajo për të mirë. Ato ishin dashur me qenë ‘amanet’ I shtetësisë tonë. Kjo është bindja ime, pse është djegur unë nuk e di. E Arsyeshme është pyetja, por…”, tha ai.

Ish ministri Sadriu po ashtu ishte I zhgënjyer me ndërrimin e destinimit të fabrikave pas privatizimit, siç ishte rasti i fabrikës së mobileve në Ferizaj dhe fabrikës së vajit, të cilat u shndërruan siç tha për troje.

Ai në fund kërkoj nga deputetët që ta hetojnë këtë proces, derisa tha se në çdo parti politike në Kosovë ka hajna.

Në përudhën kur ishte ministër Sadriu, ishin privatizuar pemishtja në Ferizaj, hoteli “Adriatik” në Mitrovicë dhe fabrika “Silcapor”.

Ndërsa, prej orës 13:00 sot është paraparë të intervistohet Petrit Gashi ish-kryesues i bordit të AKP-së./I. Shabani/