Sa njerëz i ka në burg Kosova dhe sa para shpenzon për ta

E publikuar: 22/10/2018 15:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dënimin që kishin marrë nuk arritën ta vuanin deri në fund. Disa prej të burgosurve që ishin në vuajtje të dënimit, dhanë edhe frymën e fundit nëpër qelitë e tyre. Vetëm këtë vit dy persona kanë vdekur në burgje, shifër kjo që në dy dekadat e fundit arrin në rreth 60’të. Të tjerë tentuan që t’ia shkurtonin vetes dënimin, duke provuar të kryenin vetëvrasje. Për vetëm gjashtë muaj, në burgje janë raportuar 24 raste të tilla. Aktualisht prapa grilave nëpër burgjet e vendit janë rreth 1 mijë e 500 persona. Ndërkohë, që vetëm një i burgosur i kushton shtetit rreth 10 mijë euro në vit, shkruan Gazeta Express.
Katër muret e qelisë ishin pamja e fundit për të paraburgosurin H. Abazaj nga Peja. 21 vjeçari dha frymën e fundit ditën e shtatë janarit të këtij viti në Burgun e Dubravës, ku po vuante dënimin.

Abazaj ishte në paraburgim, ngase po akuzohej nga Prokuroria Themelore e Pejës për vrasje të rëndë. Ndërsa, deri te vdekja e tij dyshohet se erdhi si pasojë e sulmit kardiak

Por, ky nuk është rasti i vetëm i vdekjes në burgjet e Kosovës.

Vetëm këtë vit dy të burgosur kanë ndërruar jetë në qelitë e tyre, sa ishin duke e vuajtur dënimin. Ndërsa, që nga e 99’ta, nëpër burgjet e Kosovës kanë vdekur 58 persona, 13 prej tyre me vetëvrasje.

Gjithë kjo sipas raportit të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për vitin 2018, përkatësisht gjashtëmujorin e parë.

E si arsyet kryesore se pse ka rritje të rasteve të vdekjeve nëpër burgje, në raport thuhet se është plakja e të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm dhe sëmundjet nga të cilat vuajnë të burgosurit.

“Rritja e vdekjeve në burg mund të karakterizohet si pasojë e plakjes së popullatës së të burgosurve, shqiptimi I dënimit të përjetshëm, mos limitimi i moshës në burgje dhe shkaqe të tjera nga sëmundshmëria si dhe pezullimi i disa ndërprerjeve të përkohshme për shkaqe shëndetësore, marrje e shërbimeve shëndetësore jashtë institucioneve publike të vendit”, thuhet në raportin vjetor të DSHB’së.

Por, edhe rastet e tentim-vrasjeve nëpër burgje janë të larta. Disa prej të burgosurve tentuan që dënimin ta shkurtonin në këtë mënyrë. Për vetëm gjashtë muaj, nëpër burgjet e vendit janë raportuar 24 raste të tilla.

Ndërsa, të tjerë si zgjidhje e panë edhe grevën e urisë.

“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar dhe menaxhuar: 150 raste të vetëlëndimeve, 188 raste të lëndimeve trupore, shtatë raste të abuzimeve seksuale, 28 raste të grevës së urisë, 24 raste të tentim vrasjes, 368 raste të izolimeve dhe dy raste të vdekjeve në burg”, thuhet tutje në raport.

Ndërkohë, në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), kanë thënë se aktualisht prapa grilave janë 1 mijë e 569 persona. Prej tyre janë 48 gra.

Zyrtari për Informim në SHKK, Jeton Kabashi, i ka thënë Gazetës Express se shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë në rreth 28 euro në ditë.

“Shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë rreth 28 euro në ditë, ndërsa shpenzimet mujore apo vjetore varen nga pranimet apo lirimet e të burgosurve”, ka thënë Kabashi.

Por, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.

E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro.

Të gjithë këta të burgosur ushqehen tri herë në ditë. Kabashi thotë se menyja ditore u ndërrohet çdo muaj. Por, ata gjithherë ushqehen nga produkte të mishit, pemë, perime.

“Nëpër burgje ekziston menyja ditore e cila ndërrohet çdo muaj, ku të burgosurit ushqehen tri herë në ditë me ushqime të ndryshme nga produktet e mishit , me peme e perime, lëngje nga frutat e çaja të ndryshëm”, thuhet në përgjigjet e Kabashit drejtuar Gazetës Express.

Për numrin e madh të shpenzimeve për të burgosur kishin reaguar edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në këtë institucion kishin kërkuar që numri i të paraburgosurve të ulet dhe gjykatat të mos caktojnë këtë masë për çfarëdo rasti. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të kursehej edhe buxheti i shtetit.

“Ne si KMDLNJ kemi kërkuar që paraburgimi të jetë si masë e skajshme, pikërisht që të kursehet buxheti i Kosovës, sepse në qoftë se një i paraburgosur nuk ka rrezik të ikë, atëherë nuk e dimë pse do të duhej të mbahej në burg”, kishte thënë Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.

Në Kosovë, sipas tij, numri i të burgosurve të punësuar është shumë i vogël dhe për këtë arsye është edhe shumë më e kushtueshme të mbahet një person i privuar nga liria sesa në vendet tjera.

Caktimi i paraburgimit si masa më e skajshme e sigurisë për një të dyshuar ose për një të akuzuar i ka kushtuar edhe buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Vetëm vitin e kaluar KGJK-ja ka ndarë nga buxheti i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave, të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe pas vendimit të gjykatës janë shpallur të pafajshëm.

Ndërkohë, Kabashi ka thënë se numri më i madh i këtyre personave janë të arrestuar për vjedhje, vrasje e plaçkitje. Nuk mungojnë edhe personat që janë duke e vuajtur dënimin për dhunim, plagosje e drogë.

Vetëm për vjedhje në vuajtje të dënimit janë 254 persona, gjersa mbi 50 të tjerë gjenden në paraburgim.

“Në kuadër të institucioneve korrektuese për momentin janë duke vuajtur dënimin për veprat penale të vjedhjes 254 persona, ndërsa po për këto vepra në paraburgim për momentin ndodhen gjithsej 51 persona”, kanë thënë nga SHKK-ja, ditë më parë për Gazetën Express.

Aktualisht, dënimi më i lartë i cili vuhet nëpër burgjet e Kosovës është ai me 40 vjet heqje lirie.