Sa mund t’i besohet një aplikacioni iranian për të organizuar protesta?

E publikuar: 21/01/2018 18:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet iraniane kanë kaluar pak kohë duke bllokuar rrjetet sociale të preferuara të qytetarëve të këtij vendi, pasi protestat ishin rritur në dhjetor të vitit të kaluar, duke përfshirë dhe ndalimin e “përkohshëm” të aplikacioneve ndërkombëtare, siç janë Telegram dhe Instagram, përveç problemeve të tjera ekzistuese në qasjen në internet.

Mirëpo, këta hapa nuk kishin aq vëmendje në krahasim me raportimet për vdekjen e protestuesve, mijëra arrestime dhe mijëra denoncime zyrtare, të cilat i cilësonin protestuesit si kukulla të “armiqve” të huaj.

Sidoqoftë, zyrtarët janë të bindur se kontrollimi digjital u ka ndihmuar në shuarjen e pakënaqësive udhëheqësisë politiko-religjioze në më shumë se 90 qytete e vende të ndryshme.

“Kibernetika ishte duke nisur zjarrin në betejë”, u ka thënë kleriku, Ahmad Khatami besimtarëve gjatë lutjeve të së premtes në kryeqytetin iranian më 5 janar.

“Në momentin që janë bllokuar aktivitetet kibernetike, kryengritja është ndalur”, ka thënë ai.

Khatami ka bërë thirrje për një “rrjet kibernetik” me serverë brenda Iranit, në mënyrë që të largohet udhëheqja digjitale “nga duart e Shteteve të Bashkuara”.

“Dhe, ju duhet ta menaxhoni”, ka shtuar ai.

Duket se ky mësim nuk është humbur nga elita politike e Iranit.

Tashmë ekziston një iniciativë e re nga zyrtarët për t’i promovuar aplikacionet vendore të rrjeteve sociale, si një mundësi ndaj mjeteve të tjera digjitale, të cilat kanë ndihmuar në shfaqjen e pakënaqësive në dhjetor dhe janar, në ato që janë konsideruar protestat më të mëdha në gati një dekadë.

Gjatë kësaj jave, presidenti iranian, Hassan Rohani, është raportuar se ka udhëzuar ministrin për Komunikime që seriozisht t’i shqyrtojë investimet dhe mbështetjen për aplikacionet vendore.

“Nuk është e pranueshme për njerëzit të përdorin rrjete sociale të monopolizuara”, ka thënë shefi i stafit të Rohanit, Mahmud Vaezi, pasi presidenti i ka bërë udhëzimet në një takim të kabinetit të tij.

“Natyrisht, është e drejta e njerëzve të përdorin rrjete sociale. Mirëpo, sa i përket sigurisë kombëtare të Iranit, nuk mund të jetë vetëm një rrjet”, ka shtuar ai.

Urdhri i Rohanit është përcjellë nga thirrje të një kohe të gjatë të linjës së ashpër për “të siguruar” aktivitetet kibernetike, të cilat janë vështirë të kontrollueshme për shkak të shpërndarjes së përdorimit të teknologjisë së pafiltruar.

Konsiderohet se Telegrami përdoret nga rreth gjysma e popullsisë 82 milionëshe e Iranit, derisa edhe Instagrami është shumë i popullarizuar.

Më 15 janar rreth 170 ligjvënës iranianë i kanë cilësuar aplikacionet e huaja si bartëse të sëmundjeve, duke përfshirë protestat e fundit, sulmin e vitit të kaluar në Parlament që pretendohet të jetë kryer nga grupi militant, Shteti Islamik, dhe trafikimi i drogës.

Parlamentarët kanë thënë se armiqtë e Iranit kanë fituar përparësi me anë të aplikacioneve për të dëmtuar vendin, dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë iraniane të zëvendësojë aplikacionet e huaja me mundësi të brendshme.

Një kërkesë e ngjashme ka ardhur edhe një zëvendës komandanti për çështje të kulturës dhe ato shoqërore të Gardës Revolucionare të Iranit.

“Pse jemi duke mbështetur të rinjtë rusë dhe amerikanë në vend që të krijojmë vende punë për ekspertë iranianë që janë aktivë në këtë fushë?”, ka deklaruar ish-kreu i milicisë Basij, Mohammad Reza Naghdi, e cila njëherësh është vullnetare e Gardës, dhe ka shtuar se:

“Nesër mund të jetë vonë”.

Ditë më parë, gjatë muajit janar, autoriteti më i lartë i Iranit, lideri suprem, Ayatollah Khamenei, ka njoftuar përmes Telegramit për postimet e tij në dy aplikacione iraniane, iGap and Soroush.

Qendra kërkimore me bazë në Londër, Small Media Foundation, e cila është e specializuar në projekte për të drejtat e njeriut, ka thënë përmes një raporti se hapi i Khameneit duket si shenjë e një “lëvizjeje të re agresive”, për t’i drejtuar përdoruesit iranianë tek aplikacionet iraniane të komunikimit.

“Të gjitha këto janë reagim i pakënaqësive të fundit, mirëpo në përgjithësi lëvizje të tilla ka pasur në periudha të ndryshme edhe në administratat e kaluara”, ka thënë studiuesi i sigurisë së internetit, Amin Sabeti, i cili po ashtu ka qenë bashkë-autor i raport.

”Për shembull, vite më parë autoritetet iraniane kanë biseduar për të lansuar një aplikacion kombëtar ‘Google Earth’. Mirëpo, asnjëra prej këtyre iniciativave nuk ka rezultuar e suksesshme”, ka thënë Sabeti.

“Njerëzit nuk iu besojnë autoriteteve, sidomos këtyre të cilat janë aktive politikisht, apo në fusha të tjera siç është moda”, ka deklaruar Sabeti.

Frika e mbikëqyrjes shtetërore duket të jetë arsyeja kryesore e mosbesimit, e cila është pranuar edhe nga autoritetet.

“Bazuar në Kushtetutën iraniane, incizimi i telefonit mund të realizohet vetëm në raste speciale dhe me urdhër gjyqësor”, ka thënë ligjvënësi iranian, Fatemeh Saeedi, për të përditshmen iraniane, Hamdeli.

“Arsyeja pse aplikacionet vendore nuk janë të popullarizuara sot është për shkak të mungesës së besimit”.

Studiuesi i pavarur i internetit me bazë në Shtetet e Bashkuara, Collin Anderson, që po ashtu ka studiuar politikën iraniane dhe sigurinë kibernetike për disa vite, ka thënë se iranianët me të drejtë janë të shqetësuar për aplikacionet vendore të rrjeteve sociale.

“Duket se shtysa kryesore është duke u bërë ashtu që, të dhënat e përdoruesve në kompani të jenë në përputhshmëri me urdhrat e gjykatave lokale për të dhënat e përdoruesve”, ka thënë Anderson.

“Në të njëjtën kohë, mendoj se më shumë duhet të shqetësohemi për aplikacionet në tërësi, pasi kur shikojmë kualitetin e tyre, parimet e dizajnit, sa e kanë në konsideratë privatësinë dhe sigurinë, nuk ka ndonjë kulturë të respektimit të përdoruesve brenda zhvillimit të këtyre kompanive iraniane. Andaj, aplikacionet që ata prodhojnë janë jashtëzakonisht të pasigurta dhe të rrezikshme, duke lënë jashtë pyetjen se kush i zotëron më pas të dhënat”, ka shpjeguar ai.

Anderson ka thënë se autoritetet iraniane duket se po marrin modelin kinez të kontrollimit strikt të internetit.

“Mendoj se Kina përfundimisht prezanton një model, i cili tenton të zvogëlojë besimin e shtetit në shërbimet e jashtme, dhe ta bëjë atë në mënyrë specifike për qëllime politike”, i ka thënë Anderson Radios Evropa e Lirë.

Në Teheran, një 44-vjeçare, nënë e dy vajzave, që nuk ka dashur t’i publikohet emri për shkaqe të sigurisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ajo refuzon të përdorë aplikacionet vendore të rrjeteve sociale.

“Nuk u besoj atyre dhe nuk e di nëse dikush në rrethin tim i përdor ato”, ka thënë ajo, dhe ka shtuar:

“Edhe kur autoritetet kanë bllokuar Telegramin, unë kam vazhduar ta përdor përmes VNP-së (rrjeti virtual privat).

Përgatiti: Krenare Cubolli