Sa duhet të presin Mogherini dhe Thaçi për takim me Vuçiqin

E publikuar: 20/09/2018 15:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk do të udhëtojë drejt Nju Yorkut, ku muaj më parë paralajmëronte se do ta takojë Presidentin Trump. Në ndërtesën e OKB’së ku mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme do të jetë edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe si zakonisht edhe Federica Mogherini. Takimi në mes tyre do të ishte i pashmangshëm. Se Vuçiq është me qëllim duke mos shkuar në këto takime e ka konfirmuar edhe Marko Gjuriq, shkruan Express.
Pasi e anuloi një takim në Bruksel në fillim të këtij muaji Aleksandar Vuçiq nuk do të shkojë në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në vend të tij, mediat në Serbi raportojnë se atje do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabiq.

Për takimin që nuk ndodhi në Bruksel në mes të Përfaqësueses së BE’së Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, ky i fundit dha një arsyetim për mungesën e Vuçiqit.

“Vuçiq nuk e ka bojkotuar takimin, ne kemi biseduar përmes Mogherinit”, tha ai, pasi Presidenti Vuçiq u nis për Beograd nga Brukseli.

E për mungesën e Vuçiqit tash në Asamblenë e OKB’së, Thaçi tha sot se kjo gjë nuk do ta pengojë atë në agjendën e paraqitjes së Kosovës në Neë York.

“Agjenda e shtetit të Kosovës nuk varet as nuk është varur kurrë nga agjenda e Serbisë” ka thënë Thaci.

Presidenti Thaçi në një shkrim që publikoi gjatë javës tha se fati i Kosovës vuloset nëpërmjet një marrëveshjeje me Serbinë, për cka u kritikua nga zyrtarë të partive, madje ato të koalicionit qeverisës.

Se Vuçiq është duke i shmangur takimet qëllimshëm e ka konfirmuar Marko Gjuriq, shefi i zyrës serbe për Kosovë duke u arsyetuar se propozimet e Vuçiq për Kosovën nuk gjetën mbështetje e madje ai edhe sulmua nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

“Për këtë arsye ata duhet të presin pak që ta shohin Aleksandar Vuçiqin” ka thënë Gjuriq.