“Ryshfeti s’është faktori i vetëm i tërheqjes së njohjeve”

E publikuar: 31/08/2019 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mungesa e kultivimit të marrëdhënieve me disa nga vendet që e kanë njohur Kosovën, konsiderohet si një prej faktorëve që po çon në tërheqjen e këtyre njohjeve, thonë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova duke lënë anash kultivimin e raporteve dhe marrëdhënieve me këto vende, u ka lënë hapësirë veprimi diplomacive nga Rusia dhe Serbia që të bindin disa prej këtyre shteteve që të tërheqin njohjet.

Së fundmi, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. I përfshirë në aferën e siç thuhet ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili thuhet se “është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës”.

Origjina e fushatës së Serbisë për t’i pakësuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me stagnimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Profesori,Gëzim Visoka, i cili është ligjërues në Dublin City University në Irlandë, thotë se Serbia që nga momenti kur e ka parë se Kosova nuk është në gjendje ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në versionin e Beogradit dhe që kur ishte bindur se as trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën nuk po funksiononte më, filloi të hapë një front diplomatik kundër shtetit të Kosovës.

“Në esencë, çnjohja e Kosovës ka të bëjë më fuqizimin e pozicionit negociues të Serbisë dhe zgjerimin e mundësive diplomatike në dëm të Kosovës. Pra, sa më shumë që Kosova do t’i rezistojë një marrëveshjeje që do t’i përshtatej Serbisë, aq më shumë Serbia do të vazhdojë fushatën agresive kundër njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Prandaj, Kosova nuk duhet injoruar dhe mohuar çështjen e çnjohjeve”, thotë Visoka.

“Në të kundërtën, duhet ta kushtëzojë heqjen e taksës në shkëmbim të ndërprerjes dhe kthimit të çnjohjeje, si dhe largimin e të gjithave barrierave jotarifore që Serbia ia ka vënë Kosovës në dekadën e fundit”, tha ai.

Kurse, zëvendësministri i Jashtëm në dorëheqje në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, konsideron se mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndikuar që shtete të caktuar ta vënë në dyshim njohjen e Kosovës. Ai thotë se Serbia po ndikon të shtete të caktuar duke prezantuar jo drejt qëllimin e dialogut.

“Unë mendoj se rrëshqitja e bisedimeve në temat që kanë rrëshqitur, ka krijuar një paqartësi në arenën ndërkombëtare, sidomos në disa shtete që janë jashtë zonave të Evropës. Serbia ka qenë aktive, në kuptimin kinse bisedohet për statusin e Kosovës dhe jo normalizim të raporteve”, tha Berisha.

Por, përveç efekteve të “ryshfetit”, siç e cilëson Qeveria e Kosovës, theksohen edhe dobësi tjera përbrenda diplomacisë kosovare që kanë ndihmuar apo ndikuar te disa vende që të marrin në konsideratë apo edhe të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet.

Profesori Gëzim Visoka, tha për Radion Evropa e Lirë se beteja për njohje diplomatike është një fushë që ndërlidhë faktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas tij, janë disa faktorë që janë duke mundësuar rritjen e çnjohjes së Kosovës.

“Faktori i parë ka të bëjë me lënien anash të fushatës për njohjen nga dy qeveritë e kaluara të Kosovës. Përqendrimi është vënë në disa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet që na kanë njohur, disi është lënë anash. Për më shumë, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve edhe mungesa e qëndrimeve unike për interesat e brendshme dhe jashtme të Kosovës, ka ndikuar në zbehjen e prezencës ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka.

Artikullin e plotë e gjeni këtu.