Rusia reagon ndaj deklaratës së Edi Ramës se “Kosova është pjesë e Shqipërisë”

E publikuar: 23/02/2019 06:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia e konsideron të papranueshme deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Kosova është pjesë e Shqipërisë, ka thënë zëdhënësja e ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zakharova.

Në konferencën e rregullt me gazetarë, Zakharova ka deklaruar sot se Rusia nuk mund të injorojë deklaratat e bëra nga kryeministri Rama, në lidhje me Kosovën.

“Në një intervistë për një televizion shqiptar, Edi Rama haptazi tha se për të ‘Kosova është pjesë e Shqipërisë’ dhe se ‘bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është Plan B por Plan A’. Ndoshta e kemi pasur përkthimin e gabuar? E kemi kontrolluar disa herë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e lidhi zbatimin e këtij të ashtuquajturi Plan A me diskutimet aktuale për korrigjim të kufijve në rajon në kuadër të procesit negociues për një marrëveshje të përshtatshme mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Zakharova, raporton Koha.net.

“Ne konsiderojmë se retorika të këtillë janë krejtësisht të papranueshme. Në të vërtetë, ka të bëjë me shkeljen e integritetit territorial të Serbisë dhe statusin e Rajonit Autonom të Kosovës në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, tha ajo, duke kërkuar edhe reagimin e Perëndimit, të NATO-s dhe të BE-së për “plane të këtilla gjeopolitike”.

Deklarime të tilla, sipas saj, rrezikojnë stabilitetin, përkeqësojnë atmosferën e mirëbesimit në rajonin e Ballkanit dhe komplikojnë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.