Rusia me plane ambicioze për Arktikun

E publikuar: 02/05/2018 18:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti rus Vladimir Putin e ka identifikuar si përparësi kryesore zhvillimin e Arktikut gjatë mandatit aktual në post. Nëndetëse, anije që çajnë akullin dhe mjete ushtarake janë dislokuar në rajon, ndërkohë që Kremlini zotohet “të mbrojë interesat e tij”. Në qytetin Vorkuta brenda Rrethit Arktik, planet e Moskës janë pritur me optimizëm të matur. Banorët shpresojnë se Kremlini do t’u ofrojë mundësi për një jetë më të mirë këtyre komuniteteve që kanë përjetuar shkatërrim ekonomik që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Korrespondenti Henry Ridgwell njofton:

Erërat e Arktikut përplasen mbi mbetjet e propagandës së vjetër komuniste: parullat sovjetike për pushtimin e Arktikut ku janë shkruar fjalët: “Ne ndërtojmë të ardhmen e Rusisë”.

Por brenda, ndërtesat e Vorkutës janë boshatisur. Vizioni sovjetik për një komunitet vital në Arktik u braktis pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Tani kjo ëndërr po ringjallet. Presidenti rus Vladimir Putin foli në Moskë muajin e kaluar:

“Një numër projektesh të mëdha industriale janë ndërmarrë në Arktik. Ato ndjekin standardet më të forta ekologjike. Po forcojmë infrastrukturën e transportit, lundrimit dhe atë shkencore e ushtarake”.

Deri tani zoti Putin ka theksuar fuqinë ushtarake ruse. Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, Rusia ka filluar të zhvillojë inkursione ajrore me avionë luftarakë mbi Polin e Veriut, drejt kontinentit amerikan.

Në fushat e ngrira, me depozita qymyrguri përreth Vorkutës këto investime ende nuk kanë arritur. Qyteti u ndërtua me punë të detyruar nga të internuarit gjatë sistemit sovjetik të gulagut. Pjesa më e madhe e minierave u mbyllën në vitet 1990.

Por qymyrguri është një produkt i preferuar në Rusi ku vjet eksportet e tij arritën vlerën rekord prej 13.5 miliardë dollarësh në vit. Pronarët e minierave mund të luajnë një rol të rendësishëm në planet e Presidentit Putin për Arktikun.

“Aktualisht kemi depozita të mjaftueshme në minierat ekzistuese për të vazhduar me këto plane për 20 vjet. Në Vorkuta ka plot depozita të tjera që mund të shfrytëzohen më pas,” thotë një nër drejtuesit e një kompanie minerare.

Kritikët thonë se qymyrguri nuk u siguron një të ardhme të qëndrueshme komuniteteve ruse në Arktik.

“Qymyrguri nuk duhet të mbahet në përdorim për hir të qymyrgurit. Vëmendja duhet të përqëndrohet tek zhvillimi i qëndrueshëm socio-ekonomik,” thotë analistja Morgane Fert-Malka.

Disa po analizojnë vlerën turistike të Arktikut. Po shtohet interesimi tek bukuritë natyrore të kësaj zone të egër, për faunën interesante dhe komunitetet autoktone.

“Ata po krijojnë aktivitete të reja, qentë e racës husky që tërheqin slitat në akull, turizmi etnografik, turizmi i blegtorisë me drerët e stepave. Por këto aktivitete janë njëkohësisht kërcënim për mënyrën lokale të jetesës dhe ekuilibrin lokal. Banorët lokalë por edhe gjithë njerëzit në të gjithë botën, nga Indonezia në Majami, të gjithë prekemi nga këto zhvillime, pasi Arktiku ndikon tek mbarë globi,” thotë analistja Fert-Malka.

Kryebashkiaku i Vorkutës thotë se vetë mbijetesa e qytetit është në rrezik:

“Kemi plane gjigande për të ardhmen, por çdo gjë varet nga lidhja e fatit të qytetit me zhvillimin e Arktikut”.

Arktiku po shndërrohet me shpejtësi në një arenë strategjike. Kjo mund të sjellë ndryshime themelore për këto komunitete që luftojnë për mbijetesë në hapësirat e ngrira në veriun e largët rus.