Rusia: Gazetarët amerikanë në Moskë, të regjistrohen si agjentë të huaj

E publikuar: 10/11/2017 20:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët rusë thonë se Moska do të miratojë një ligj të ri javën e ardhshme nëpëmjet të cilit do t’u kërkohet gazetarëve amerikanë atje, të regjistrohen si agjentë të huaj.

Njoftimi të premten erdhi si një përgjigje ndaj asaj që Rusia thotë se është një kërkesë e re e SHBA-së, që gazetarët e divizionit amerikan të kanalit televiziv RT që financohet nga qeveria ruse, të regjistrohen në Shtetet e Bashkuara si agjentë të huaj.

Kanali RT tha të premten se do të zbatojë kërkesën për t’u regjistruar sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, ose siç njihet ndryshe FARA. Por një zëdhënëse e qeverisë ruse tha se çështja mund të çohet edhe në gjykatë.

Kryetari i Dumës, Vyacheslave Volodin tha se zyrtarët tashmë po planifikojnë të ndryshojnë ligjet ruse për agjentët e huaj, duke e zgjeruar gamën e mbulimit për të përfshirë edhe mediat që veprojnë në Rusi.

I pyetur të enjten rreth regjistrimit sipas ligjit FARA-s, një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se ky veprim, nuk ndikon apo pengon mundësitë e një organizate për të raportuar.

Zyrtarët amerikanë e konsiderojnë kanalin RT, një mjet propagande të lidhur me qeverinë ruse, por sipas këtij televizioni, ai ofron mbulim objektiv të lajmeve në Shtetet e Bashkuara.

RT, apo “Rusia Sot” (Russia Today), tha të enjten se zyrtarët amerikanë të Departamentit të Drejtësisë i kanë dhënë afat deri më 13 nëntor për t’u regjistruar sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj. Sipas këtij televizoni nëse ata nuk e ndërmarrin këtë veprim, kjo mund të çojë në mbylljen e divizionit amerikan.

Në një deklaratë në faqen e saj në Facebook të enjten vonë, ambasada ruse në Uashington D.C tha se veprimi i Departamentit amerikan të Drejtësisë mund të vendoste “një precedent të rrezikshëm” për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës në të ardhmen.