Rusia dëbon 755 diplomatë amerikanë nga Moska

E publikuar: 30/07/2017 23:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të dielën se 755 diplomatë amerikanë do të dëbohen nga Rusia deri më 1 shtator. Dëbimi i diplomatëve pason sanksionet e miratuara nga Kongresi amerikan kundër Rusisë javën e kaluar.

Përgjigja e Rusisë pritet t’i acarojë më tej tensionet mes Moskës e Uashingtonit. Megjithëse dëbimi i diplomatëve amerikanë ishte njoftuar që të premten, numri i tyre u bë i ditur sot gjatë një interviste të presidentit Putin me televizionin Rossiya 1.

Zoti Putin tha se Rusia mund të shqyrtojë në të ardhmen masa të tjera shtesë kundër Shteteve të Bashkuara si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane.

Sanksionet e Uashingtonit ndaj Rusisë ishin pjesërisht për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, një përfundim i arritur nga agjencitë amerikane të zbulimit, si dhe për ndëshkuar më tej Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Moska tha të premten se Shtetet e Bashkuara kanë afat deri më 1 shtator për të pakësuar personelin diplomatik duke lënë në Rusi vetëm 455 vetë, një numër i barabartë me diplomatët rusë që shërbejnë në Shtetet e Bashkuara. Në dhjetor Uashingtoni dëboi 35 diplomatë rusë.

Të premten një zytar i ambasadës amerikane, që nuk pranoi të identifikohej, tha se ambasada punëson rreth 1100 diplomatë dhe personel mbështetës rus, përfshirë shtetas amerikanë dhe rusë.