‘Runu se po ju rrehin’, këshillojnë karaqevasit kur pyeten për kazinotë ilegale!

E publikuar: 29/11/2019 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Karaqevë, 29 nëntor 2019 – ‘Runu se po ju rrehin’. Kjo është këshilla e dhjetëra banorëve të fshatit Karaqevë të Kamenicës për ekipin e MediaFokus, kur pyeten për kaziotë ilegale, të cilat janë hapur tash e dy muaj në zonën ku duket se nuk kanë qasje autoritetet kosovare dhe ato serbe.

Në mes të fshatit Karaqevë dhe Novosellë tashmë operojnë shtatë kazino. Asnjëri prej banorëve të këtyre dy fshatrave që ka takuar MediaFokus, nuk ka pranuar të përgjigjen me emër e mbiemër, për arsye sigurie. Në kushte anonimiteti, ata phuan se janë kundër hapjes së këtyre veprimtarive ilegale.

Xh. S. nga fshati Karaqevë, ka shprehur zhgënjimin me institucionet që nuk kanë ndërmarrë asgjë në ndalimin e kësaj veprimtarie.

“Deri tash, institucionet e Kosovës zero angazhim kanë ba me e nalë këtë të keqe. Na s’kemi forcë me i nalë, vec me dalë me ba luftë me ta. Pozitë e opozitë duhet të bëhen bashkë për me luftu këtë fenomen që është shkatërrues për neve, për fëmijët tanë”, thotë Xh.S., teksa pohon se djali i vetëm i tij do ta braktisë këtë fshat.

“Unë e kam një djalë në studime dhe kur ta kryen fakultetin, ai ka me ikë jashtë se nuk jetohet këtu. Edhe papunësi edhe kazinotë n’derë”.

Ndërkohë, M. R. nga fshati Novosellë tha se hapja e këtyre kazinove rrezikon degjenerimin e rinisë së kësaj ane.

“Po vijnë njerëz të panjofshëm prej Gjakovës, prej Prizrenit, prej Prishtinës, prej kasmosit. Me i pa çfarë vozitje iu bajnë kerreve, çuditesh. Nuk ka siguri më me jetu këtu sepse këta janë njerëz që po merren me gjana të kqija. Duhet me ndërhy dikush me e nalë të keqe sepse njerëzit humbin pasuni e familjet mbesin pa bukë”, thotë ai.

‘Zona e kazinove i përket territorit të Serbisë’

Sipas autoriteteve të sigurisë në Gjilan, ajo zonë i përket Republikës së Serbisë deri në një marrëveshje finale me Serbinë, përkatësisht demarkimit të kufirit me këtë shtet fqinj.

“Lokacioni për të cilin flisni, sipas politikave të KFOR-it për kufirin mes Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë, ajo zonë ku operojnë kazinotë konsiderohet se i përket teritorit të Serbisë. Policia e Kosovës nuk ka ingerenca në atë pjesë afër kufirit dhe deri sa të bëhet përcaktimi i vijës kufitare me Serbinë, operimi i kazinove aty mbetet çështje e autoriteteve të Serbisë”, ka deklaruar Shaban Azizi, nga Policia e Regjionit të Gjilanit.

Por, kush e merr përgjegjësinë në rast të ndonjë incidenti?

Sipas Azizit, në rast të ndonjë incidenti në këto kazino, përgjegjëse direkte është policia e Serbisë.

“Sa i përket kompetencës së hetimit në raste të incidenteve në zonën e apostrofuar ku operojnë kazionotë, aty është përgjegjëse policia e Serbisë, por nëse ndodhë ndonjë incident ku dyshohet se mund të jetë në territorin e Republikës së Kosovës, për të qenë të sigurtë, mund të kërkojmë nga KFOR’i që së bashku të përcaktohet se kujtë i përket territori, në mënyrë që të veprohet sipas ligjeve ne fuqi”, thotë ai.

Cili është qëndrimi i Komunës së Kamenicës?

Ngjashëm me policinë përgjigjet kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, i cili thotë se mosshtrirja e autoritetit në atë pjesë, vije si pasojë e Marrëveshjes së Kumanovës.

“Së fundmi kemi qenë të informuar për operimin e këtyre kazinove në këtë pjesë të Kamenicës. Kur është nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës në vitin 1999, është bërë një gabim sepse vija është tejkaluar dhe ka hyrë brenda territorit të Kosovës, konkretisht në Zonën Kadastrale të Komunës së Kamenicës. Edhe Policia e Kosovës nuk mund të ndërhyjë në atë pjesë pa marrë leje të veçantë nga KFOR’i”, ka thënë Kastrati për MediaFokus.

Këtë paqartësi të përgjegjësive, ku përmenden autoritetet e Kosovës, Serbisë dhe KFOR’it, duket se bosat e kazinove po e shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë duke kontrolluar territore për aktivitete ilegale.

MediaFokus ka biseduar edhe me kryetarin e këëshillit të fshatit Karaqevë, Selver Lenjani, por ky i fundit, ani pse konfirmoi se do të jap një përgjigje, nuk e bëri një gjë të tillë.

Përndryshe, me urdhër të Qeverisë së Kosovës, këtë vit janë mbyllur të gjitha lojërat e fatit në Kosovë, në afat prej 10 viteve si pasojë e vrasjeve të njëpasnjëshme që ndodhën në këto objekte./MediaFokus/